Në LDK sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Arban Abrashi, nuk tundohen nga presioni i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, se do të dalë nga qeveria nëse nuk e bëjnë President.
Në takimin e koalicionit qeveritar, i cili do të mbahet të hënën temë diskutimi thotë ai do jetë edhe qasja e qeverisë karshi dialogut me Serbinë, por pritet të diskutohet edhe posti i Presidentit.
Abrashi deklaron se posti i të parit të shtetit duhet t’i takojë partisë së Mustafës. “LDK-ja si një parti shtet-formuese e cila ka dhënë shumë për vendin edhe i ka numrat në Kuvend dhe besoj që edhe i takon posti i presidentit”, theksoi Abrashi.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së, mocioni për rrëzim të qeverisë Hoti i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje është vetëm hipokrizi. Derisa beson që kjo iniciativë nuk do ketë sukses, Abrashi thotë se një veprim i tillë nga ana e LVV-së ka qenë vetëm sa për të marr vëmendje në skenën politike.
Lidhur me deklarimet që LDK-ja po kërkon përfshirjen e PDK-së në Qeveri, Abrashi tha se ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim ndaj palët nuk janë takuar.