Pavarësisht se mazhoranca miratoi në parim projekligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ka qenë opozita e cila ka sulmuar draftin e qeverisë duke thënë se pas rotacionit politik ligji do të shfuqizohet menjëherë. Në seancën e rradhës në komisionin e ligjeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e cilësoi draftin e qeverisë si një orvatje të saj për të mos kthyer asnjë tokë drejt pronarëve të ligjshëm.
“Me këtë ligj nuk po bëni gjë tjetër, veccse atë që ia morrët mos ia ktheni më kurrë. Sigurisht ky ligj nuk do t’i qëndrojë rotacionit politik. Ky ligj që e quani sot si një reformë të madhe do të fshihet me një të rënë të lapsit nesër dhe ju garantoj se sapo ne të vijmë në pushtet do ta kthejmë këtë ligj mbrapsht, sepse ky ligj cënon të drejta kushtetuese të fituara dhe nuk mundet që kjo qeveria t’ia marrë përsëri ato”, tha Oerd Bylykbashi.
LSI mbështeti draftin e sjellë nga qeveria. Petrit Vasili tha se LSI përshëndet synimin e prligjit për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare ngërçin disa vjeçar të pronave.
“Kështu që në këtë bashkëfajtorësi, prapë figurative të të gjithë krahëve të poltiikës, dhe atyre që janë betuar e kanë rrahur gjoksin për të drejtat e pronarëve, por dhe kur kanë pasur pushtet në dorë nuk kanë dhënë gjë të drejt për drejtë, atëherë fundi i kësaj tragjikomedie është zgjidhjet të jenë përfundimtare”, thotë Vasili.
Deputeti tjetër demokrat i kujtoi socialistëve se kanë vendosur në ligj të njëjtin parashikim ligjor që tentoi edhe qeveria e djathtë dikur, që ka të bëjë me rishikimin e vendimeve të dhënies së pronave. Halimi pranoi se kjo ishte bërë gabim nga qeveria e djathtë atëherë.
“Na dukej ne se zgjidhja ishte më e thjeshtë. E menduam gabim. Vajtëm në Gjykatën kushtetuese dhe e humbëm”, tha Eduard Halimi