Nga Mero Baze
Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri është varrosur pesë herë. Fillimisht në Stamboll, aty ku vdiq. Pastaj në 15 vjetorin e pavarësisë, mbreti Zog, që donte të linte një shenjë nga vlerat kombëtare të “Rilindjes”, mori eshtrat nga Stambolli dhe i varrosi në Tiranë.
Pastaj erdhën italianët. Edhe Jakomonit i duhej Naim Frashëri, dhe vendosi ta tejkaloj Zogun, duke i bërë atij një varr monumental në vitin 1940.
Pastaj erdhi Enver Hoxha. I duhej dhe atij madhështia e Naimit dhe e rivarrosi më 20 prill 1950, duke e hequr nga varri monumental që i bëri Jakomoni.
Pastaj erdhi 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit më 1978. U muarën nga Turqia eshtrat e Abdyl Frashërit. Me këtë rast Naimit të gjorë ja nxorrën sërisht eshtrat nga varri dhe e varrosën me Abdylin tek Kodrat e Liqenit.
Për këtë ka një poezi të mrekullueshme antologjike, poeti ynë më i mirë i ditëve të sotme, Petrit Rukaj.
Sa herë që është varrosur, aq herë është dekoruar me gjithë dekortat e larta të shtetit shqiptar. Asnjëherë nuk i janë dashur Naimit, por udhëheqësve shqiptarë që e varrosnin e zhvarrosnin, duke mos e lënë rehat as nën dhe, Zogut, Jakomonit, Enver Hoxhës.
Sot dëgjova që Ilir Meta ka shkuar në Frashër ta dekorojë përsëri. Kjo dalldia e tij rrugëve të Shqipërisë për të hedhur dekorata mbi varre heronjsh e martirësh, si një bashibozuk, pa respektuar as protokoll, as historinë e tyre, dhe mbi të gjitha, pa ditur asgjë për historinë e tyre, është një përdhunim tipik i historisë nga një politikan që mendon se mund të përdorë historinë për kredon e tij politike.
Selam Musai u vlerësua në qershor të këtij viti, kur kishte dhe përvjetorin e tij, ju bë monument në Tiranë, dhe shtëpi muze në Salari, por Ilir Meta zgjedh të shkojë një muaj më pas, tek një qoshe rruge në Tepelenë, për t’i dhënë dekoratë atij që nuk më nevojë për asgjë, sidomos për dekoratën e Ilir Metës.
Pastaj meqë i bie rruga ndalon në Derviçian, merr Vangjel Tavon dhe ndan dhe aty disa dekorata për tre fshatarë të Derviçianit, që janë njerëz të njohur të pakicës greke aty, kryesisht sportistë.
Sot ngrihet e ikën në Frashër t’i prishë gjakun për herë të gjashtë Naim Frashërit, me shpresë se dhe kjo do të ndihmojë imazhin e tij.
Nesër shpresoj të mos shkojë në Tomorr dhe të dekorojë Abaz Aliun, se ndoshta e di betejën e Qerbelasë në Tomorr, meqë e ka shkruar Naim Frashëri.
E di që nuk ka kush ta ndalë dhe as ta ndëshkojë për këtë që bën. Të vdekurit janë të pafuqishëm të mbrojnë veten prej tij.
Dekorimi i gjashtë i Naim Frashërit prej tij, e bën komike historinë e një prej rrënjëve, prej të cilës mbiu kombi shqiptar. Më dëm se kaq Naimit nuk i ka bërë as Turqia, as Zogu, as Jakomoni, as Enver Hoxha, që i lëviznin vazhdimisht varrin. Sonte ai me siguri lëviz vetë në varr.