Shqiptarja.com ka zbuluar dhe sjell konkluzionet e Komisionit per Hetimin e Ngjarjeve të muajve janar-qershor ’97, ku del në pah angazhimi i Sali Berishës për përfshirjen në luftë të armatosur të Veriut me Jugun e Shqipërisë, për interes të karriges së tij të pushtetit, duke përdorur ushtarin e tij, Bashkim Gazideden.
Në fund të muajit shkurt dhe fillim të muajit mars të vitit 1997, Sali Berisha, ishte i izoluar ndërkombëtarisht, kishte humbur besimin tek krerët e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, situata i kishte dalë jashtë kontrollit dhe pushteti i tij nisi të lëkundet nga zemërimi popullor për shkak të mashtrimit me firmat piramidale, vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996, korripsionit, trafiqeve, dhunës, reprezaljeve, kthimit të SHIK në një strukturë kriminale që torturonte dhe zhukte njerëz etj.
Pasditen e dy marsit 1997, Berisha urdhëron mbledhjen e Kuvendit me urgjencë, miraton gjendjen e jashtëzakonshme, hyn në fuqi brenda disa orësh gjendja e jashtëzakonshme dhe emëron kreun e SHIK-ut, Bashkim Gazideden, Komandanti të Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Me këtë lëvizje, Berisha kalon nën komandën e Gazidedes ushtrinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme dhe policinë. Një ditë para se Berisha ta gradonte komandant, për ta përdorur në vijim si vegël për veprime kriminale, Gazidede kishte nisur lëvizjet për armatosjen e punonjësve të SHIK-ut.
Komisioni hetimor ka zbuluar një udhët sekret të datës 2 mars 1997, për hedhjen në sulm të një batalioni të SHIK-ut kundër protestuesve në qytetet e Jugut të vendit.
Punonjësit e SHIK marrin urdhër për të asgjësuar personat që i pengojnë në marshimin për shtypjen e protestave. Por më kriminal është një tjetër urdhër për mobilimin e rezervistëve në rrethet Bulqizë, Peshkopi dhe Burrel për të luftuar në Jug. Me rezervistë, Gazidede, në koordinim me Berishën, u referohet militantëve të PD-së. Në 6 mars 1999, lëshohet urdhri sekret nr. 82, për mobilimin e militantëve të PD në Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Kurbin. Lezhë, Malësi e Madhe dhe Burrel. Urdhri parashikon edhe armatosjen e militantëve me armatimin e ushtrisë. Këto urdhra nxjerrin në pah strategjinë për të përfshirë në konflikt të armatosur qytetarë të zonave të Veriut me qytetarë të zonave të Jugut.
Në 3 mars 1997 është lëshuar një tjetër urdhër sekret për të dislokuar në Fieri 9 tanke nën komandën e Isamedin Haxhisë, vëllain e Izet Haxhisë, i cili në atë kohë ishte truproja i Sali Berishës. Berisha e përdori Izet Haxhinë për organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, por më pas e akuzoi si vrasës së Azem Hajdarit. Një tjetër urdhër parashikon që t’i kalojnë SHIK-ut 15 topa 75 mm. Komisioni Hetimor ka zbuluar edhe urdhra për bombardim të urave, për të paralizuar organizimin e rebelimit kundër Berishës. Konkluzionet e komisionit hetimor i kaluan Prokurorisë, ku siç dihet Sali Berisha dhe bashkëpuntorët e tij, jo vetëm nuk u ndëshkuan, por në vitin 2005 u rikthyen në pushtet.
Disa nga konkluzionet e Komisionit Hetimor për ngjarjet e 1997
-Tiranë më datën 01.03.1997, Bashkim Gazidede kërkesë sekrete Ministrisë së Mbrojtjes për të pajisur punonjësit e SHIK-ut, me 100 copë automatik kallashnikov dhe 24 copë mitrolozë të lehtë. Në një listë tjetër përsëri kërkohen automatikë 2000 copë, mitrolozë të lehtë 130 copë,
fishekë 2 milionë, granata dore 1500 copë. Ka edhe lista të tjera që vazhdojnë po me këtë renditje.
-Urdhër sekret nr. 1, datë 02.03.1997 për veprimet luftarake të batalionit të parë të SHIK-ut, i Bashkim Gazidedes. Urdhëroj: ‘Batalioni i SHIK-ut, me përbërje kompaninë e parë, të dytë e të tretë, skuadra e ndërlidhjes, skuadra e ndihmës së shpejtë dhe toga mitraliere të lëvizë në drejtimin Tiranë-Fier, duke u përqendruar në Qafën e Koshovicës me detyrë, në bashkëveprim me forcat e ushtrisë dhe të rendit të pengojë, të ndalojë dhe të asgjësojë ose të kapë rob forcat që mund të tentojnë të sulmojnë në drejtim të qyteteve Fier, Lushnje, Tiranë. Komandanti i batalionit, gjatë rrugës së marshimit, të organizojë sigurimin e kolonës dhe në rast ndeshjesh të hapet në formacion luftimi për të penguar forcat që mund të sulmojnë me zjarr, t’i pengojë dhe t’i asgjësojë ato. Të merren me vete një komplet ushtarak i shpërndarë dhe një rezervë, ndihmë mjekësore dhe pesë transportues të blinduar…”.
-Urdhri sekret nr. 4, datë 01.03.1997 i Bashkim Gazidedes për kalimin në gatishmëri luftarake të SHIK-ut.
-Urdhër sekret nr. 1 i Komandantit të Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme, Bashkim Gazidede: Shefit të Shtabit të Ushtrisë, z. Adem Çopani. Urdhëroj mobilizimin e rezervistëve në rrethet Bulqizë, Peshkopi, Burrel. Mobilizimi të fillojë menjëherë.
-Urdhër sekret nr. 82 datë 09.03.1997 drejtuar rretheve Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Kurbin. Lezhë, Malësi e Madhe, Burrel. ‘Të gjithë rezervistët që paraqiten në repartet ushtarake të rrethit tuaj, të vishen e të kompletohen me armatimin e nevojshëm e të nisen urgjent për në Akademinë e Forcave Tokësore, Tiranë, ish-Shkolla e Bashkuar. Lajmëroni dhe Shtabin e Përgjithshëm’.
-Urdhri nr. 3, datë 03.03.1997: ‘Në orën 16.00 të jenë të dislokuar në rrethin e Fierit 9 tanke nga reparti i Zall-Herrit nën komandën e z. Isamedin Haxhia’.
-Urdhri nr. 91, datë 11.3.1997 i Komandantit të Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme, Bashkim Gazidede: ‘Të furnizohet reparti nr. 713 i FNSH-së me 15 topa 75 mm me nga dy komplete municioni për mbrojtje’.
-Urdhri nr. 87, datë 10.03.1997 i Komandantit të Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme, Bashkim Gazidede: Nga fondet e akorduara Ministrisë së Punëve të Brendshme me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 121, datë 7.03.1997, të lihen në dispozicion të buxhetit të SHIK-ut shuma prej 35 milionë lekë dhe artikulli 03 shuma prej 25 milionë lekë edhe vlera të tjera.
-Nga Ministria e Mbrojtjes. Në arkivin e kësaj ministrie janë evidentuar urdhra për kompletimin me armatime të strukturës ushtarake për veprime ushtarake me aviacion, përgatitje për përdorim
lëndësh kimike, përgatitje për shkatërrim urash, për lëvizjet e transportuesve të blinduar në drejtim të Jugut etj. Këto urdhra kanë filluar që në muajin shkurt dhe kanë vazhduar deri më 16 mars 1997. Këtu është urdhri nr. 38, datë 02.03.1997 ku urdhërohet komandanti i repartit ushtarak nr. 5011 në Tiranë që t’i dorëzojë menjëherë SHIK-ut armët, municionet dhe pajisjet e tyre si më poshtë: 1000 automatikë, 20 granatahedhës, 30 mitrolozë etj. Përsëri urdhri nr. 37 ku urdhërohet të dorëzohen 100 copë mitrolozë, 30 mitrolozë 12. 7mm, 1000 granata dore mësymëse etj.
-Urdhri nr. 39; dorëzim armatim municioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në policinë ushtarake, Tiranë. Edhe këtu ka numër të madh municioni.,
-Urdhri nr. 76, i cili urdhëron që t’i kalojnë SHIK-ut 15 topa 75 mm dhe municionet e tyre.
-Urdhri nr. 4, datë 03.03.1997 për shkatërrimin e urave në zbatim të detyrës së vënë, në radiogramin nr. 5, datë 02.03.1997, ora 22,5 të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral major Adem Çopani për përgatitjen për shkatërrimin e urës mbi hekurudhë në Qafën e Sokolit.
-Përsëri urdhra për pajisjen me armë dhe urdhri tjetër, ose raporti teknik për lëndët helmuese dhe lëndët lotsjellëse, urdhra për lëvizjen dhe dislokimin e trupave, urdhra për pajisje me armë etj.
-Nga Ministria e Brendshme janë evidentuar listat, pagesat e bëra për Gardën nr. 2, të cilat janë vazhduar deri më 16.08.1997, që për muajin mars 1997, deri në 112 vetë dhe urdhra të tjerë që janë lëshuar deri më datën 31.03.1997 për vënien në dispozicion të 35 transportuesve të blinduar.
-Urdhrin nr. 483 për vënien në dispozicion të Ministrisë së Brendshme të 35 transportuesve të blinduar dhe dy mjeteve të transportuesve të tjerë. Kjo është lista e Gardës nr. 2 me 112 veta. Këto janë lista për shpenzimet dhe efektivin, deri më 07.08.1997. Këto janë lista dhe urdhra për pajisjen me armë të disa shtetasve që prokuroria do t’i saktësojë se si qëndron puna./Shqiptarja.com