Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka reaguar sëfundmi lidhur me protestat në Bjellorusi ku një grup i madh njerëzish nuk pajtohen me fitoren e zgjedhjeve nga Lukashenko, sipas të cilëve janë të vjedhura.
Në një deklaratë të bërë, Pompeo shprehet se, Shtetet e Bashkuara janë frymëzuar nga shfaqja e shprehjes paqësore të popullit bjellorus që kërkon të përcaktojë të ardhmen e vet.
“Ne i qëndrojmë në përkushtimin tonë afatgjatë për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bjellorusisë, si dhe aspiratat e popullit bjellorus për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe të zgjedhin vetë rrugën e tyre, të lirë nga ndërhyrjet e jashtme.
Mbetemi thellësisht të shqetësuar nga dyshimet që ekzistojnë për zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi dhe dënojmë me forcë dhunën e kryer kundër protestuesve dhe gazetarëve paqësorë, arrestimin e kandidatëve të opozitës, bllokimin e shërbimit të internetit të Bjellorusisë dhe abuzimin e të ndaluarve.
Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të atyre që janë arrestuar padrejtësisht dhe të jepet llogari për ata që raportohen të zhdukur.
Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme që pasqyrojnë vullnetin e popullit bjellorus.
Zgjedhjet e 9 gushtit nuk e përmbushën atë standard. Bjellorusia, si Shtetet e Bashkuara, është një vend anëtar i OSBE-së, i cili i mbështet ato standarde.
Ne i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryesisë së OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara në të,” ishte fjala e Pompeos i cili me fjalinë e fundit i referohet kërkesës së bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama nën cilësine e kreu të OSBE.
Propozimi i Ramës
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE, ka ofruar një vizitë dhe një takim me qeverinë dhe opozitën në Bjellorusi për të gjetur një zgjidhje nëpërmjet dialogut.
“Një dialog i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi,” u shpreh Rama ditë më parë.