Një automjet përplasi disa makina në një autostradë në Berlin të Gjermanisë, duke shkaktuar tre të plagosur rëndë. Autoritetet gjermane po e hetojnë rastin si sulm terrorist.
Shoferi i mjetit që shkaktoi përplasjen është një burrë 30-vjeçar nga Iraku. Në momentet e para pas ngjarjes, ai bërtiti “Allahu Akbar” dhe pretendoi se kishte brenda makinës një objekt të rrezikshëm. Por më pas nuk u gjet asgjë brenda mjetit.
Shoferi mbahet i arrestuar, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që 30-vjeçari të jetë me çrregullime psikologjike. Megjithatë, zëdhënësi i zyrës së prokurorit të Berlinit theksoi se “të dhënat e fundit tregojnë për një sulm të motivuar islamik”.
30-vjeçari është identifikuar nga mediat gjermane si Samrad A. dhe jeton në kampin e refugjatëve. Dyshohet se mund të jetë radikalizuar pikërisht në këtë kamp. Ai pritet të përballet me 3 akuza të vrasjes së mbetur në tentativë.
/a.r