Një djalë i ri i cili përndiqte dhe ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj një vajze të mitur është marrë peng nga babai i saj dhe dy të tjerë, të cilët i kërkuan që të hiqte dorë nga vajza.
Burime nga policia thanë se të arrestuarit janë babai i vajzës Astrit Kushi, 49 vjeç dhe i riu i dyshuar Luka Haxhiu, 18 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e G. Sh., 46 vjeç dhe O. Kushi, 20 vjeç, banues në Elbasan.
Arrestimi i Luka Haxhiut, u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se i riu, ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj një vajze të mitur 14-vjeçare.
Ndërsa arrestimi i babait të vajzës dhe shpallja në kërkim e dy të tjerëve, u bë pasi tre të dyshuarit në bashkëpunim mes tyre, ditën e djeshme dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 18-vjeçarit Haxhiu, si edhe i kanë hequr lirinë këtij të fundit, duke e mbajtur peng në një automjet për disa orë.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.