Presidenti i Malit, Ibrahim Boubakar Keita, është arrestuar nga ushtarët kryengritës, ka konfirmuar për BBC një zëdhënës i qeverisë.
Kryeministri Boubou Cisse, gjithashtu është arrestuar, pavarësisht se më parë bëri thirrje për “dialog vëllazëror”.
Përpjekja e grushtit të shtetit filloi brenda një baze ushtarake kryesore, rreth 15 kilometra nga kryeqyteti, Bamako, të martën në mëngjes.
Në kryeqytet të rinjtë i vunë zjarrin një ndërtesë në pronësi të qeverisë. Kryengritja është dënuar nga Franca e cila ka qenë fuqi koloniale në Mali. Trazirat pasojnë thirrjet për më shumë protesta kundër Presidentit.
Keita fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2018, por ekziston zemërimi i përhapur për korrupsionin, keqmenaxhimin e ekonomisë dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë, pasi dhuna xhihadiste dhe ndërmjet komuniteteve është në rritje.
Ende nuk është e qartë se sa ushtarë kanë marrë pjesë në kryengritje. Disa raporte thonë se ajo ishte nxitur nga një mosmarrëveshje për pagat.
Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë diskutime urgjente për situatën në Mali.
Bashkimi Evripian të martën dënoi “përpjekjen për grusht shteti” në Mali.
“Bashkimi Evropian dënon përpjekjen për grusht shteti në Mali dhe kundërshton të gjitha ndryshimet jokushtetuese”, tha shefi i diplomacisë, Josep Borrell.
/a.r