Në rrjetet sociale publikonte fotografi ku shfaqej në zyrë duke punuar, por paparacët e fotografuan të dielën në një jaht luksoz në Kroaci.
Kjo bëri që ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, të përfundojë në qendër të kritikave, i akuzuar si gënjeshtar.
Në postimet e bëra në Facebook nga e enjtja në të diel, Szijjarto deklaronte se ishte i angazhuar duke folur me përfaqësues të Bashkimit Europian për krizën në Bjellousi.
Por sajti i gazetarisë investigative Atlatszo.hu, publikoi të dielën një fotografi të tijën në një jaht luksoze në pronësi të Laszlo Szijj, një biznesmen i njohur.
Kjo bëri që partitë kundërshtare dhe qytetarë të shumtë të kërkojnë dorëheqjen e tij,
“Szijjarto gënjeu duke thënë se po punonte në zyrë ndërkohë që ishte me pushime në jahtin luksoz të një miliarderi”, shkroi Partia Socialiste në një deklaratë.
Imazhet ngritën gjithashtu pikëpyetje në lidhje me lidhjet e Szijjarto me Szijj, një manjat ndërtimi i listuar si biznesmeni i katërt më i pasur i Hungarisë dhe që ka fituar shumë tenderë shtetëror vitet e fundit.
Sipas socialistëve, veprimet e Szijjarto mund të sjellin rreziqe për sigurinë kombëtare. “Në një demokraci funksionuese, kjo është arsye për dorëheqje”, tha Katalin Cseh, një eurodeputete nga një parti tjetër opozitare, Momentum, shkruan javanews.
Kryeministri Viktor Orban, i cili u kritikua për mos komentimin e ngjarjeve në Bjellorusi deri më tani, gjithashtu inkurajoi hungarezët që të kalonin pushimet e tyre verore në vend për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve me koronavirus.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme reagoi në Facebook me një mesazh për të sqaruar se “Po, ministri është me pushime, por ai punon në të njëjtën kohë”.