Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK dhe BKH, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, amnistia fiskale, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe pritshmëritë e PS për të marrë një mandat të tretë qeverisës, situata e pandemisë dhe mënyrës se si institucionet shtetërore po e menaxhojnë situatë, kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur deputetja socialiste e Elbasanit, Evis Kushi. Kjo e fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deklaroi dje se hapjen e listave e kërkojnë shumica e qytetarëve shqiptarë, ndërsa renditi edhe disa arsye se përse PS do marr një mandat të tretë qeverisës. Madje, deputetja e Partisë Socialiste zonja Kushi theksoi se hapja e listave, sipas saj, është një rrugë e re në historinë e demokracisë dhe të drejtën e votës së lirë në Shqipëri. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi ajo theksoi se kjo reformë është histori suksesi, ndërkohë që thirrje që shumë dosje të bujshme si “21 janari” duhet të zbardhen.
-Zonja Kushi, qeveria “Rama” ka ndërmarrë një nismë sikundër është amnistia fiskale. Si ju duket kjo iniciativë dhe çfarë të mirash do të sjellë për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë?
Që në fillim dua të theksoj që synimi kryesor i amnistisë nuk është të sigurojë të ardhura për buxhetin e shtetit, por dhënia fund njëherë e përgjithmonë e informalitetit dhe evazionit fiskal. Thënë ndryshe, ligji synon formalizimin e ekonomisë dhe dhënien e mundësisë bizneseve dhe individëve që të formalizohen para se të nisim reformat e forta. Nga kjo amnisti do të përfitojnë edhe individët edhe bizneset, të cilët kërkojnë formalizimin e aseteve dhe shkëputjen nga veprimet informale të së kaluarës. Do të përfitojnë emigrantet, që kanë ende nga puna e tyre e ndershme asete likuide të paformalizuara dhe që duhet të hyjnë në qarkullimin ekonomik formal. Gjithashtu individët do të përfitojnë edhe nëpërmjet legalizimit të pasurive brenda dhe jashtë vendit, por të padeklaruara për shkak të informalitetit apo evazionit tatimor nga individët apo bizneset. Ndërkohë që bizneset do të përfitojnë nëpërmjet formalizimit të pasqyrave financiare dhe bilanceve, duke patur mundësinë e riformatimit dhe pasqyrimit real të mjeteve dhe burimeve të tyre. Por, sigurisht që zbatimi i procesit të amnistisë do të sjellë efekte pozitive edhe në rritjen e të ardhurave buxhetore si në momentin e deklarimit vullnetar të pasurive, ashtu edhe pas përfundimit të amnistisë fiskale, nëpërmjet zgjerimit të bazës së tatueshme.
-Fund i muajit korrik ishte parashikuar si kohë kur projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” do të miratohej në Parlament. Por një ditë para se drafti të votohej në Kuvend, Komisioni i Ekonomisë vendosi që ta shtyjë miratimin e këtij projektligji për në vjeshtë. Çfarë ndodhi dhe përse ndryshuat qëndrim në minutat e fundit?
Nuk do ta quaja shtyrje apo ndryshim qëndrimi, por përkundrazi maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për një ligj të rëndësishëm që hartohet për herë të parë në Shqipëri dhe që ka një interes të lartë publik për shkak të impaktit që pritet të sjellë në jetën e shumë qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë shqyrtimit në Kuvend, sidomos në Komisionin për Ekonominë dhe Financat që është edhe komisioni përgjegjës për këtë ligj, ne zhvilluam seanca dëgjimore me grupet e interesit dhe të gjitha institucionet e rëndësishme që do të jenë pjesë e zbatimit të ligjit. Kemi marrë shumë mendime e sugjerime me vlerë, për të cilat kishim nevoje për më shumë kohë që t’i analizojmë, vlerësojmë dhe reflektojmë në ligj në mënyrë sa më të përshtatshme, me qëllim që në fund të procesit të kemi një ligj të dakordësuar dhe gjithëpranuar. Ndërkohë, gjatë hartimit të ligjit, grupi ndërinstitucional i punës ka marrë dhe është konsultuar edhe me eksperiencat e vendeve të tjera, për të mësuar nga sukseset apo gabimet e tyre dhe për të hartuar një ligj sa më të përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë.
-Por opozita dhe grupet e interesit kanë hedhur akuza ndaj qeverisë, ndërsa e akuzojnë këtë të fundit për mungesë transparence dhe se përmes kësaj nisme kërkon të ligjërojë paratë e korrupsionit, duke i pastruar ato. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Të gjitha këto pretendime nuk qëndrojnë pasi, së pari, kjo amnisti nuk legalizon as vjedhjen dhe as korrupsionin e bërë nga zyrtarët e lart shtetërorë. Nga amnistia përjashtohen të gjithë ministrat, deputetët, drejtorët, të gjithë pjesëtarët e tyre të trungut familjar, si dhe të gjithë ata individë që janë subjekt i deklarimit në ILDKP, si dhe subjektet e Ligjit Antimafia dhe Ligjit anti-KÇK. Përveç kësaj, në vendin tonë vijojnë të zbatohen një sërë ligjesh dhe aktesh normative për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e ndryshme, etj. dhe ky ligj parashikon një bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokurorinë, SHISH, si dhe institucione të tjera.
-Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese, përmes së cilave do të hapen listat për deputet. Këto ndryshime mbështeten fuqishëm nga PS dhe opozita parlamentare, ndërkohë që janë kritikuar fort nga opozita jo parlamentare. Si ju duket ky vendim për të hapur listat?
Në fakt, këto ndryshime kushtetuese që miratoi Kuvendi i Shqipërisë në 30 korrik, nuk janë mbështetur fuqishëm vetëm nga PS dhe opozita parlamentare. Hapja e listave ka qenë kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve, të cilët nuk do të votojnë më vetëm për partinë politike që do të qeverisë vendin, por ata do të kenë mundësinë edhe për të përzgjedhur deputetët më të parapëlqyer nga lista e kandidatëve. Natyrisht që e mbështes këtë vendim dhe votova plotësisht e bindur që hapja e listave do të hapë një rrugë të re në historinë e demokracisë dhe të drejtën e votës së lirë në Shqipëri.
-Edhe pse jemi disa muaj larg mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, partitë politike kanë nisur “de facto” fushatën elektorale. Nga njëra anë është PS që pretendon që të rikonfirmohet fituese, ndërsa nga ana tjetër është opozita e drejtuar nga PD-LSI që gjithashtu pretendon se do të vijë në pushtet. Mirëpo më lejoni t’ju pyes se përse qytetarët shqiptarë do t’ju besojnë një mandat të tretë juve?
Qytetarët kanë përpara dy alternativa. Nga njëra anë janë ata që braktisën Parlamentin, braktisën interesat e qytetarëve, bojkotuan zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, dogjën e hodhën bomba molotov nëpër institucione, si dhe dëmtuan imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Ndërkohë nga ana tjetër është PS, që ka ndërmarrë reformat më të vështira në këto vite të qeverisjes, ka patur rezultate të prekshme në çdo sektor dhe e ka afruar akoma më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian ku duam të anëtarësohemi. Nga njëra anë janë ata që tradhtuan interesat dhe qytetarët, e nga ana tjetër është PS që i qëndron angazhimeve e premtimeve të saj dhe bashkëqeverisë me njerëzit e zakonshëm. Megjithatë PS po punon intensivisht edhe për hartimin e programit tonë qeverisës për mandatin e tretë, i cili në momentin e duhur do t’u prezantohet qytetarëve në mënyrë që ata të jenë të bindur për zgjedhjen e tyre përpara votimit.
-Ju jeni ekonomiste në profesion. Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të vitit që lamë pas dhe pandemisë së Covid-19 ekonomia e vendit është goditur fort. Por megjithatë qeveria shqiptare ka miratuar disa paketa financiare për t’u ardhur në ndihmë sektorëve më të goditur të ekonomisë. Si ju duken këto paketa?
Për fat të keq, Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera u godit në mënyrë të njëpasnjëshme nga dy fatkeqësi të rënda, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e Covid-19. Reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm me paketat mbështetëse, ligjet, aktet normative, si për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve e po ashtu edhe bizneseve, për përballimin e situatës. Sa i takon kësaj mbështetjeje, natyrisht ne do kishim dashur të bënim shumë më tepër, por për kushtet tona, për mundësitë reale që ka buxheti i shtetit, unë besoj që është bërë maksimumi i mundshëm dhe askush nuk është lënë jashtë vëmendjes. Në këtë aspekt, vlen të theksohet edhe mbështetja e madhe që mori Shqipëria nga vendet e Bashkimit Europian apo shtete të tjera mike, si për procesin e rindërtimit pas tërmetit e po ashtu edhe përballimin e situatës së pandemisë.
-Një tjetër çështje sensitive është reforma në drejtësi. Kjo e fundit ka hyrë në shina dhe një nga një janë ngritur edhe organet e dala prej saj, si SPAK apo BKH. A mendoni se drejtësia e re do të jetë e pavarur?
Unë jam optimiste dhe kam besim të plotë që drejtësia e re do të ketë jo vetëm pavarësi të plotë, por edhe profesionalizëm dhe integritet të lartë, pasi pikërisht mungesa e tyre ndër vite solli domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi. Besimi im në këtë reformë buron jo vetëm nga mënyra si u hartua kjo reformë, si u krijuan institucionet e reja të drejtësisë, mbështetja e plotë e ndërkombëtareve dhe partnerëve tanë strategjike, si dhe përfshirja dhe asistenca e institucioneve me prestigjoze në të gjitha hapat e hartimit dhe zbatimit të saj. Përveç kësaj, avancimi i procesit të vetingut dhe rezultatet konkrete të deritanishme janë një garanci më shumë për pavarësinë dhe suksesin e reformës.
-Tashmë që SPAK dhe BKH janë ngritur a ka ardhur koha që shumë nga dosjet e bujshme si “21 Janari”, “Gërdeci” apo afera e Rrugës Durrës-Kukës të rihetohen dhe të zbardhen?
Unë mendoj që jo vetëm këto dosje, por të gjitha heshtjet që kanë mbetur pezull, që nuk kanë marrë përgjigje dhe që kanë interes të lartë publik, duhet të zbardhen. Të gjithë personat që janë përgjegjës për krime, vjedhje apo që i kanë sjellë dëme të mëdha shtetit shqiptar, duhet të dalin përpara drejtësisë, duke i dhëne fund një herë e përgjithmonë kulturës së pandëshkueshmërisë. Vetëm në këtë mënyrë, institucionet e reja të drejtësisë do të fitojnë besueshmërinë dhe mbështetjen maksimale nga qytetarët.
/a.r