Ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka telefonuar Artan Grubin, Sekretarin e BDI pas marrëveshjes në Maqedoninë e Veriut për qeverinë e re.
Cakaj zbulon se janë 3 poste kyçe që do kenë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kryetarin e Kuvendit, ministrin e jashtëm që do të udhëheqë diplomacinë si dhe 100 ditë kryeministrin.
Cakaj thotë se kjo ësthë një arritje historike pasi forcon shqiptarët në shtetin fqinj dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
STATUSI NGA GENT CAKAJ
Sapo kam zhvilluar një bisedë telefonike me z. Artan Grubi, Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, pas përfundimit të negociatave me partnerin e tyre të koalicionit, LSDM-në e Zoran Zaev.
Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim. Po ashtu, krahas faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar.
Me një fjalë, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë z. Ali Ahmeti e z. Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut.
Me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh dhe punën e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian 🇦🇱🇲🇰🇪🇺!