Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, debatoi me ministrin e rendit, Saimir Tahiri, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, duke thënë se “ky ministër vijon të kalojë tonelata droge në Evropë. Droga nuk mund të kalojë pa dijeninë e policisë”.
Tahiri iu përgjigj duke thënë se “kur ishte Ristani zëvendësministër mbillej më tepër drogë”.
“Do të vazhdoj të ushtoj detyrën si ministër në luftën ndaj kriminalitetit. Sjellja e opozitës është arrogante dhe fyese ndërkohë që qytetarët presin rend dhe siguri. Opozita drejton gishtin ndaj meje pa pasur guxim të nxjerrë fakte. Më akuzon pa shkuar në Prokurori për të prezantuar faktet. Nuk u përgjigjem akuzave të opozitës, pasi nuk janë të faktuara. Ndalni akuzat ndaj policisë, jam i gatshëm për interpelancë. Fyerjet e opozitës kanë për qëllim vetëm për të kryer detyrat e partisë”, tha Tahiri.
Komisioni i Ligjeve është mbledhur për të diskutuar marrëveshjen me Kroacinë, ku përfshihet edhe shkëmbimi i informacionit. Tahiri tha se në këtë marrëveshje përfshihet analizimi i tendencave kriminale, si dhe rritja e bashkëpunimit me Kroacinë në luftën kundër terrorizmit.
“Pikë e rëndësishme e marrëveshjes me Kroacinë është edhe mbrojtja e dëshmitarëve”, tha ministri.