Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ditën e sotme që të ndalojë kandidimin e Regleta Panajotit për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës paraditen e sotme, me këtë rend dite:
Miratimi i procesverbaleve të përmbledhura të mbledhjeve të KED-së, të datave 10.07.2020 dhe 17.07.2020.
Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e rishpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 21.08.2019 dhe Presidenti i Republikës në datën 27.09.2019: – Regleta Panajoti.
Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatit të mësipërm.
Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, si dhe përfaqësuesja e Presidentit të Republikës. Nuk mori pjesë në këtë mbledhje Avokati i Popullit apo subjektet e tjera.
Pas miratimit të procesverbaleve të përmbledhura të mbledhjeve të KED-së, të datave 10.07.2020 dhe 17.07.2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e akteve dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave, dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim si dhe duke u bazuar në vendimin nr.19 datë 30.07.2020 të Komisionit të Posaçëm të Apelimit , vendosi:
Shfuqizimin e vendimit nr.75, datë 24.07.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për lejimin e kandidimit të kandidatës:
Regleta Panajoti, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 27.09.2019.
1.1 Ndalimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të:
Regleta Panajoti, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 27.09.2019.
2.Ndalimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të:
Regleta Panajoti, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e rishpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 21.08.2019.
Vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të Znj. Regleta Panajoti do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.