Teksa në Rusi ka nisur prodhimi i asaj që mund të konsiderohet si e para vaksinë anti-COVID në botë, kreu i institutit Gamaleya ku ajo u zhvillua hedh poshtë dyshimet e ngritura në perëndim se Sputnik V i nuk i ka kaluar të gjitha fazat për t’u konsideruar e sigurtë.
“Nuk e kemi reduktuar numrin e testeve të nevojshme që garantojnë sigurinë e vaksinës. Për më tepër, paralelisht jemi duke kryer teste të tjera. Kur nisi pandemia, po punonim për vaksinën kundër MERS-it që është një lloj koronavirusi. Për këtë virus u përmbyll faza e dytë, ndaj dhe ne e kishim gati gjithë metodologjinë për vaksinën kundër COVID-19”.
Gintsburg kërkon të qetësojë opinionin publik duke sqaruar se vaksina është testuar tek më shumë se 3500 persona për efektet anësore dhe ka rezultuar se ato kanë qenë fare të vogla, siç ndodh me të gjitha vaksinat e tjera.
“Kanë pasur për shembull temperaturë të lehtë, që mund të kurohet me paracetamol”.
Kreu i institutit Gamaleya thotë po ashtu se Moska nuk ka pasur asnjë qëllim të konkurrojë në tregun global, duke nxituar ta nxjerrë e para vaksinën. Mes personave që e provuan vullnetarisht vaksinën ishte edhe anëtari republikan i dhomës së përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara Entoni Sabatini, siç njoftoi ai vetë në Tëitter.
Pak ditë më parë, OBSH tha se vaksina ruse Sputnik V nuk ishte fare në listën e saj të vaksinave që po zhvillohen në shkallë globale kundër COVID-19. Zyrtarët e organizatës u shprehën se po punojnë me palën ruse për të marrë më tepër informacion për mënyrën e prodhimit të vaksinës, e ndoshta për ta certifikuar nëse pretendimet e Moskës janë të vërteta. Këtë të hënë edhe Pekini njoftoi patentimin e një vaksine të zhvilluar nga firma kineze CanSino, e cila do të hyjë tashmë në fazën e tretë, atë të testimit të kohëzgjatjes së efektit mbrojtës ndaj COVID-19.
/a.r