Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho komentoi ditën e djeshme aktualitetin politik në vend dhe ecurinë e procesit të zgjedhjes së kandidatëve brenda selisë blu. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Spaho u shpreh se procesi i zgjedhjeve do të mbyllet brenda shtatorit. Ndërsa duke iu referuar miratimit të ndryshimeve kushtetuese, nënkryetari i Partisë Demokratike u shpreh se listat e hapura i shërbejnë vetëm partisë në pushtet dhe jo qytetarëve, duke shtuar se kryeministri Rama ta harrojë se mund të ndalojë rrotacionin politik përmes manovrave që po mundohet të përdorë.
Sipas Spahos, Partia Demokratike është një parti e hapur për të gjithë që duan të japin kontributin e tyre. Por një tjetër situatë shqetësuese për qytetarët është edhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të cilin Spaho shprehet se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës, ku shtoi se Shqipëria po i afrohet shifrave të larta që kishte dikur Italia.
PD ka nisur procesin për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Si po ecën puna dhe kur pritet të nisë votimi i emrave në bazë?
Puna po shkon mjaft mirë dhe është brenda afateve të përcaktuara. Sikurse është bërë e ditur ka përfunduar procesi i mbledhjes së propozimeve në çdo degë në të gjithë vendin. Propozimet po shqyrtohen nga Komisioni përkatës për të parë shkallën e plotësimit të kritereve të vendosura. Kjo përbën një punë voluminoze dhe pritet të përfundojë në 15 Shtator. Lista e kandidatëve që do kalojnë komisionin do të votohet sipas degëve përkatëse në periudhën 15-30 shtator. Çdo anëtar i Partisë Demokratike do ketë të drejtë të votojë dhe heqë nga lista deri në 20% të saj.
Ideja e rikthimit të disa personazheve të tërhequr disi nga PD ka shkaktuar mjaft debate. Pse mendoni që hapja e partisë do sjellë fitimin e zgjedhjeve?
Fitorja e zgjedhjeve përcaktohet nga shumë faktorë. Në çdo kohë Partia Demokratike ka qenë e hapur dhe i ka bërë thirrje t’i bashkohet asaj cilido që mendon se mund të kontribuojë në largimin e qeverisë së Ramës. Ky fenomen bëhet më i dukshëm në prag zgjedhjesh prandaj tërheq edhe më shumë vëmendje.
Në 30 korrik në mënyrë të njëanshme u miratuan ndryshimet kushtetuese. Pse sipas jush PS shkoi te listat e hapura?
Listat e hapura janë lojë e Ramës për të tërhequr vëmendjen nga objektivi i tij i vërtetë për të eliminuar koalicionet parazgjedhore dhe daljen e çdo partie brenda koalicionit me listën e vet të kandidatëve. Në këtë mënyrë shpreson që mund të përfitojë një pjesë të votave të partive të vogla, të cilat nuk prodhojnë deputetë. Rama duhet të ketë të qartë se çfarëdo manovre të bëjë nuk e ndal dot rrotacionin politik dhe mbajtjen e përgjegjësisë për të gjithë dëmet që i ka bërë vendit dhe qytetarëve gjatë këtyre viteve. Rrotacionin politik e ka përcaktuar vullneti i qytetarëve të cilët presin me padurim t’u drejtohen kutive të votimit.
Një rëndësi të madhe do të ketë përshtatja e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor. A do të vazhdojë opozita diskutimet në Këshillin Politik?
Rëndësi të madhe ka respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit ku përcaktohet se partitë kanë të drejtë të krijojnë dhe regjistrohen me koalicione dhe çdo parti në koalicion të paraqitet me listën e saj të kandidatëve për deputetë. Marrëveshja e 5 qershorit u arrit me garanci ndërkombëtare dhe u përshëndet nga ata, përfshirë Sekretarin Amerikan të Shtetit. Këshilli Politik merr vendime vetëm me konsensus. Ndryshimet e njëanshme, për të përfituar avantazhe elektorale e rrëzojnë marrëveshjen e 5 qershorit dhe tensionojnë klimën politike dhe thellojnë krizën.
Heqja e koalicioneve do të sjellë risi në zgjedhjet e ardhshme. A ka një vendim opozita nëse do të shkohet me një listë të përbashkët apo partitë do të jenë të ndara?
Siç theksova më sipër, fokusi i opozitës është respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Si janë raportet me Lëvizjen Socialiste për Integrim?
Mjaft të mira dhe shumë bashkëpunuese jo vetëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por me të gjitha partitë pjesë e koalicionit opozitar. Siç e keni vënë re nga deklaratat e opozitës, ka unitet të plotë në qëndrimet e mbajtura, përfshirë ato për ndryshimet e njëanshme kushtetuese.
Ju keni qenë për protesta nëse miratoheshin ndryshimet kushtetuese. I qëndroni ende kësaj ideje?
Protestat janë element i demokracisë. Ka me dhjetëra arsye për të protestuar kundër kësaj qeverie. Vendimet i merr opozita e bashkuar në momentin e domosdoshëm.
Si mendoni se e ka menaxhuar qeveria situatën e pandemisë?
E ka lënë me rrjedhje të lirë si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë të mbështetjes së ekonomisë dhe qytetarëve të vendit. Epidemia po përhapet me shpejtësi dhe spitalet po mbushen. Jemi afër shifrave të Italisë dhe Spanjës për infektimet dhe humbjet e jetëve për 100 mijë banorë. Në kronikat e ditëve të fundit kemi parë mungesë të theksuar të tamponëve, mosgjurmim të rasteve, mungesë pajisjesh shëndetësore dhe ilaçesh deri në atë pikë sa blihen privatisht aparate oksigjenimi si dhe ju dërgohen të sëmurëve ushqime nga shtëpitë. Ndërkohë qeveria nuk harron të paguajë koncesionet siç bëri këto ditë duke i dhënë 5 milionë euro koncensionarit të inceneratorit të pandërtuar të Tiranës. Me mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe mijëra biznese janë mbyllur. Jemi vendi që kemi ofruar më pak se çdo vend i botës për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët, rreth 110 milionë euro, kur borxhi publik u rrit edhe me 1 miliard euro të tjera. Në shtator mbushet një vit që ekonomia e vendit ka hyrë në recesion, të ardhurat pritet të mos realizohen me rreth 700-800 milionë euro dhe po marrim borxh për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve operative, gjë që nuk ka ndodhur në 30 vjet. Ndërkohë qeveria sillet si të mos ketë ndodhur gjë, i ushqen njerëzit me demagogji dhe ka marrë pushimet.
A ndjehet e shqetësuar PD duke qenë se presidenti po bën opozitë më të fortë përballë qeverisë?
Shqetësimi është që të bëjmë sa më mirë detyrën tonë si opozitë dhe besoj se po e bëjmë atë ashtu si duhet. Këtë e shprehin sondazhet, të cilët tregojnë se nëse zgjedhjet zhvillohen sot, opozita fiton thellë.
Pse PD do i fitojë zgjedhjet e 2021?
Sepse njerëzit janë ngopur me gënjeshtra dhe demagogjinë e Ramës, mungesën e punës dhe perspektivës, korrupsionin e pafund dhe shpërdorimin e fondeve të buxhetit me një grup oligarkësh, rritjen e pandalshme të çmimeve, rënien e nivelit të jetesës dhe luksin e shfrenuar të qeveritarëve. Nga ana tjetër, programi i Partisë Demokratike u jep zgjidhje shqetësimeve të qytetarëve. Ekonomia është shqetësimi kryesor i tyre dhe tek ekonomia është përqendruar vëmendja jonë. Taksa e sheshtë 9 për qind, ulja e çmimeve të lëndëve energjike, mbështetja me prioritetet e bujqësisë janë disa nga masat e para që do merren dhe që do krijojnë mundësi për më shumë para në xhepat e qytetarëve, më shumë të ardhura për bizneset, më shumë investime të huaja e për rrjedhojë edhe vende të reja pune. Për të gjitha arsyet e mësipërme dhe të tjera si ato, qytetarët po presin me padurim zgjedhjet për të shporrur një herë e mirë regjimin e Ramës dhe realizuar rrotacionin politik dhe ndryshimin e kërkuar.
/a.r