Pas firmosjes së marrëveshjes detare mes Greqisë me Egjiptin, Turqia reagoi ashpër pasi deklaroi se ishte bërë sipas interesave të këtyre dy vendeve.
Duke e konsideruar këtë marrëveshje si “jo ekzistente”, Turqia nxori në det anijen e saj eksploruese dhe u tregoi të gjitha vendeve, miq apo armiq, se nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj në “Atdheun Blu”.
Mes konfliktit të Turqisë dhe Greqisë për Mesdheun Lindor, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri deklaratën e bujshme: “Ata që sulmojnë bashkëkombësit dhe vëllezërit e mi duhet ta dinë se do të japin llogari për këtë çështje përmes ligjit ndërkombëtar dhe metodave të tjera. Qëndrimi i Greqisë në Egje dhe Mesdhe është i qëllimshëm dhe mashtrues.
Nuk mund të shpjegohet me logjikë dhe gjykim të shëndoshë kërkesa për të zotëruar juridiksion detar mbi një ishull, i cili është vetëm 2 km larg bregdetit turk dhe 580 km larg Greqisë kontinentale.
Unë gjithashtu paralajmëroj edhe BE-në për këtë. A i përmbush një shtet anëtar i BE-së detyrimet e tij për të mbrojtur të drejtat e pakicave sipas legjislacionit evropian? BE-ja duhet t’i kërkojë llogari qeverisë greke për këtë.
Të pretendosh juridiksion detar mbi një sipërfaqe 40 mijë kilometra katrorë duke u nisur vetëm nga një sipërfaqe toke prej 10 kilometrash katrorë është edhe qesharake, edhe e pabazuar për sa i përket ligjit ndërkombëtar. E ftoj edhe një herë Greqinë që të respektojë të drejtat e Turqisë”, tha Erdogan.
Mesazhi i lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes turke pas deklaratës së Erdoganit thoshte se anijet dhe avionët që i përkisnin forcave detare po vazhdojnë të shoqërojnë stërvitjet tona Yavuz dhe Fatih, dhe anijen eksploruese Barbarosa Hayrettin.
Është mjaft e qartë se anijet dhe avionët janë një paralajmërim i pastër se në rast të ndonjë sulmi në anijet tona të nga ana greke gjatë eksplorimit në Mesdheun Lindor, ushtria do të përmbushë detyrat e saj, shkruan gazeta turke “Yeni Safak“.
Ndërsa deklaratat e mëpasshme të Turqisë njoftuan se zona e Mesdheut lindor u kthye në një “teatër lufte”.
Rusia do të zhvillojë një stërvitje raketore në këtë rajon. Ka një atmosferë të plotë të panikut në Greqi. Është pohuar se një pjesë e zonës ku anija “Oruç Reis” do të kryejë eksplorime është brenda territorit grek kontinental. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis thirri Këshillin e Mbrojtjes në një takim të jashtëzakonshëm që zgjati 59 minuta.
Gjatë deklaratës së shkurtër, u tha se situata ishte vlerësuar dhe reagimi i Greqisë në çdo rast do të jetë i duhuri.
Kjo ishte e vetmja deklaratë e bërë. Nuk ka dyshim se Greqia nuk mund të jetë e vetme në këtë përplasje me Turqinë. Si gjithmonë, ajo po kërkon ndihmën e Evropës dhe NATO-s. Duket sikur Presidenti Francez, Emmanuel Macron, i njohur si antiturk, është njeriu që qëndron pas marrëveshjes midis Kajros dhe Athinës.
Sidoqoftë, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavushoglu tha se, “Sipas informacionit të marrë nga Ankara, është e qartë se shelfi kontinental i Egjiptit nuk është brenda kufijve që pretendohen nga Turqia”.
Çavushoglu deklaroi se shelfi kontinental i pretenduar nga Greqia është qartë në kundërshtim me shelfin kontinental të Turqisë.
Ministri i Jashtëm tha se Athina dëshiron të fillojë zbatimin e marrëveshjes së saj me Kajron nga shelfi kontinental i Kretës dhe ishujt përreth tij, por që duhej të tërhiqej qartë nga ky pozicion:
“Duket se të drejtat e tyre të sovranitetit mbi ishujt atje, përfshirë Kretën, u kompromentuan. Kjo në thelb mbështet teorinë tonë”.
Shpërthimi i kryeministrit grek Mitsotakis duke thënë se: “Ushtria jonë është e gatshme”, ndërsa tensionet e Mesdheut Lindor po vazhdojnë midis Turqisë dhe Greqisë, konsiderohet jo shumë e rëndësishme nga qarqet ushtarake.
Megjithatë, e rëndësishme është pyetja se çfarë është në gjendje të bëjë Turqia nëse ndonjë prej elementëve të vet sulmohet, kryesisht anija e tij eksploruese sizmike Oruç Reis.
Sipas ekspertëve, Turqia ka instrumentet e afta për të goditur Athinën pa rrezikuar jetën e asnjë prej ushtarëve të saj. Prandaj, një luftë midis Turqisë dhe Greqisë është më në dëm të fqinjit tonë…/ Shkruan gazeta turke.