Qyteti i Shijakut prej disa javësh është kthyer në një kantier ndërtimi.
Nga bashkia është punuar intensivisht për çdo aplikim të familjeve të prekura nga tërmeti dhe madje është bashkia e parë që ka nisur rikonstruksionin e pallateve që përfitojnë nga grantet dhe rindërtimin e banesave individuale.
Sot ishte i pranishëm në fshatin Rrubjekë të njësisë administrative Maminas, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj për të inspektuar nga afër punimet e rindërtimit të banesave individuale.
Brenda shtatorit, këto familje do të marrin në dorë çelësat e shtëpive të tyre të reja.
Në bashkinë e Shijakut ka filluar puna paralelisht në të gjithë njësitë administrative dhe aktualisht po punohet me shumë kantiere: banesat individuale, shkollat, rikonstruksionin e pallateve.
“Kryeministri dhe qeveria shqiptare po i japin një mbështetje maksimale çdo familje të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit që shumë shpejt të kenë shtëpinë e tyre të re me standarde moderne dhe të sigurtë”, tha kryebashkiaku Arbana.
Ai falenderoi Kryeministrin për vullnetin e mirë për të sjellë shpresë për të gjitha familjet e dëmtuara.
/a.r