Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka dhënë kryetarit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaevin, mandatin për të krijuar qeverinë e re të vendit. Në bazë të Kushtetutës, Zoran Zaev ka afat prej 20 ditëve që të paraqesë përbërjen e re qeveritare për votim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Pas marrjes së mandatin, Zaev nuk bëri të ditur nëse ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, por as të qartësojë pozicionet me Bashkimin Demokratik për Integrim, që gjithashtu kërkon postin e kryeministrin.
“Ne po i vazhdojmë bisedimet. Kemi bërë përpara në shumë aspekte, por kemi edhe çështje tjera që nuk i kemi mbyllur, janë çështje serioze. Nuk do të jap detaje pasi nuk do të ishte në interes të flasim pa pasur diçka konkrete. Është me rëndësi që sa më parë të formohet qeveria, të cilën jam i gatshëm ta drejtoj në katër vjetët e ardhshme”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar nevojën që në plan të parë të të gjitha partive të jenë interesat e qytetarëve dhe koncepti “një shoqëri për të gjithë”.
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte ftuar në takim kryetarët e partive të tjera shqiptare për të biseduar për zhvillimet politike, synimet në mandatin e ri, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur ftesës së Ahmetit, pasi kishin kërkuar agjendë te qartë se çfarë dëshiron kryetari i BDI-së nga një takim i tillë.
LSDM-ja e Zoran Zaevit në zgjedhjet e 15 korrikut ka fituar 46 vende në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, PDSH-ja 1.
Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 vende në kuvend.
/e.rr