Statuja që u vendos arbitrarisht tetë vjet më parë në një nga sheshet kryesore të Tiranës, është hequr për t’u vendosur diku tjetër. Si reaguan dje disa qytetarë të Tiranës dhe çfarë propozojnë atë për vendin e ri të prehjes së ish-mbretit. A duhet të bëhet një referendum në kryeqytet për ringritjen ose jo të statujës.
Qëndrimet kontroverse të Sali Berishës një vite ndaj Zogut, përshkrimi i arratisjes së Ahmet Zogut nga Shqipëria në vitin 1939 nga një historiane angleze dhe një përcaktim i historianit Pëllumb Xhufi…
Xhevdet Shehu
Dje Tirana është gdhirë pa statujën e Ahmet Zogut, e cila u ngrit 8 vite më parë nga qeveria e Sali Berishës. Statuja e ish-mbretit i vendos në një vend strategjik, pranë ish-stacionit të trenit dhe dominonte krejt sheshin, ndërsa disa qindra metra më tutje përballë tij ishte dhe është monumenti i Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Vendosja e asaj statuje në mënyrë arbitrare nga qeveria e Sali Berishës në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë kombëtare ngjalli reagime të shumta kundër. U quajt një akt provokativ nga ana e qeverisë, ndaj një figure me shumë anë të errëta, ndaj një satrapi që e braktisi vendin dhe popullin në ditën më të zezë, sikurse ishte pushtimi nga Italia fashiste në 7 prill 1939.
As më shumë e as më pak akti i qeverisë Berisha u konsiderua një nga vendimet më skandaloze për ish-mbretin tradhtar. Në radhë të parë sepse, kush shqiptar nuk e di, duke filluan që nga Kosova dhe deri në Çamëri se Ahmet Zogolli, jo vetëm nuk bëri gjë për trojet shqiptare që mbetën jashtë kufijve, por erdhi në pushtet me bajonetat serbe pikërisht duke falur pjesë të trojeve, edhe ashtu të gjymtuara shqiptare, që ishin njohur nga Fuqitë e Mëdha.
Në një dokument arkivor (fondi Nr. 253 – dosja105, v. 1924) jepet marrëveshja shumë poshtëruese që Zogu nënshkroi me kryeministrin serb të asaj kohe, me kusht që ai ta ndihmonte të vinte në pushtet. Në pikën, 8 ndër të tjera, thuhet se: “Qeveria shqiptare… tërheq çdo pretendim të saj për sovranitetin mbi manastirin e Shën Naumit dhe lokalitetin e Vermoshit të Kelmendit…”. Ndërsa në pikën 10 të saj, midis të tjerave, thuhet: ”Qeveria shqiptare mbahet larg nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve…”. Po sipas asaj marrëveshje, A. Zogu shpërndau dhe vrau shumicën e Komitetit që i kishte ngarkuar detyrë vetes të çlironte Kosovën. (Dokumenti i cituar ka 13 pika). Gjithsesi monumenti i Zogut u ngrit, madje më i madh se i Ismail Qemalit që është strukur në një lulishte.
75 vite më vonë nga pushtimi fashist, më 7 prill 2014 statuja e Ahmet Zogut në Tiranë u gdhi me një litar (kavo) çeliku rreth saj, por e padëmtuar. U besua dhe u komentua se ky ishte një akt simbolik, me të cilin autori/ët donin të tregonin, në përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, se në këtë vend nuk mund të lartësohen ata shqiptarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesit apo që i kanë kthyer shpinën atdheut kur ai kishte më shumë nevojë për ta. Pas disa ditësh, një parti komuniste mori përsipër aktin dhe pretendoi se iu kishte dështuar tentativa për ta rrëzuar statujën në fjalë.
Ndërkohë, ajo statujë është dhunuar e vandalizuar edhe herë të tjera, duke shkruar parulla në piedestal kundër personit që ngrihej mbi të. Kështu ndodhi në tetorin e vitit të kaluar. Në bazën e statujës ishin vendosur shkrime me bojë të zezë kundër figurës së Ahmet Zogut. “Poshtë tradhtari”; “Spiun i serbit”, shkruhej në faqet anësore dhe ballore të piedestalit, ndërsa kërkohej që të vendosen statujat e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe të Bajram Currit.
***
Ditët e fundit Bashkia e kryeqytetit mori vendimin për ta hequr statujën në kuadrin e restaurimit rrënjësor që po i bën asaj pjese të bulevardit të madh ku ngrihej statuja. Në njoftimin e Bashkisë thuhej se do të vendosej diku tjetër të përshtatshëm.
Ku? Ku mund të vendoset Ahmet Zogu? Ku mund të jetë i përshatshëm ai? Të tilla janë diskutimet që po bëhen aktualisht, të cilat duket se arrijnë në një përfundim:
Ahmet Zogu duhet të vendoset në një vend që mund të jetë i përshtatshëm për staturën e tij, po kurrsesi jo aty ku janë heronjtë e Kombit që nga Skënderbeu deri tek Ismail Qemali.
– Kur pashë se ishte hequr statuja e Zogut, ndjeva një lehtësim të madh në shpirt. Kisha tetë vjet që ndërroja rrugë, vetëm e vetëm që të mos e shihja, – na tha dje një i moshuar, veteran i Luftës Antifashiste.
– Le ta çojnë në Burgajet të Matit, andej nga ishte, këtu ishte në vendin e gabuar. Ahmet Zogu nuk është figurë kombëtare që ta meritonte të ngrihej këtu në mes të Tiranës. Le të bëhet referendum popullor e le të shikohet se sa e duan atë, na tha një qytetar tjetër.
Dikush tjetër tha se, meqë kemi të bëjmë me një vepër artis, le të çohet aty prapa galerisë së arteve ku prehen edhe Lenini me Stalinin. Mbase atje mund të jetë më i sigurt se në çdo shesh apo rrugicë. Vetëm atje nuk do t’i shkojë mendja kurrkujt për t’i hedhur litarin në qafë, apo të shkruajë parulla kundër tij.
– As në Mat nuk e meriton statujën Ahmet Zogu, -na tha publicisti i njohur Ymer Minxhozi. – Sa herë më përmendet ai emër mua më kujtohen vargjet e mrekullueshme të Himnit tonë kombëtar: “Prej lufte veç ai largohet / Që është lindur tradhëtor / Kush është burrë nuk frikësohet / Po vdes, po vdes si një dëshmor!” Nuk duhet të ketë monumente për tradhtarët…
Këto ishin disa opinione të shpejta që fiksova dje, ndërsa vrisja mendjen se ku mund të ringrihet statuja e Zogut, në cilën rrugë apo rrugicë… Dhe kështu u ravijëzua ideja e një referendumi…
Sepse sheshet, rrugët dhe Bulevardet e kryeqytetit janë shumë të rëndësishme dhe në njëfarë mënyre janë biografia jonë historike, janë fytyra jonë kombëtare. Në këto rrugë dhe sheshe është bërë histori, historia jonë, ndaj dhe ato nuk mund t’u përkasin individëve që kanë ardhur e ikur Nuk duhen lejuar njolla turpi mbi to. Ato janë dhe duhet të jenë vende shëtitjeje, takimi dhe bashkimi për shqiptarët e të gjitha përkatësive krahinore, fetare, politike dhe ideologjike. Bustet dhe shtatoret e politikanëve mund të ngrihen në vendlindjet e tyre, për shembull në Burgajet, Viçidol e kështu me radhë.
***
Sepse historia dhe figura e Ahmet Zogut nuk kanë asgjë për t’u monumentalizuar. Si ardhja e tij në pushtet në vitin 1944 me mbështetjen dhe financimin e serbëve, ashtu dhe ikja e tij në vitin 1939 janë të turpshme. Por edhe vitet e qeverisjes së tij janë të errëta dhe të mbushura me drama kombëtare.
Historiania angleze Miranda Vickers e përshkruan kështu largimin e Ahmet Zogut nga Shqipëria në ditën e pushtimit nga Italia fashiste:
“Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek. Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati. Duket se pamundësia për të bërë luftë guerrile në male bëri që Mbreti të zgjidhte largimin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur. Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigante në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napolona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina, gjithçka që kishte mbetur nga pasuria personale e tij, e krijuar nga shitja e pronave të familjes në disa vite. Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, Mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare.”
***
Kur e monumentalizoi Ahmet Zogun, Sali Berisha sfidoi një popull të tërë, të cilin e injoroi në vendimin që mori në 100-vjetorin e pavarësisë. Kishte arrogancë në atë gjest, kishte paragjykim dhe prapamendim tipik fashistoid dhe anadollak. Dihen qëndrimet kontroverse të Sali Berishës në vite, i cili ngjarjet, historinë dhe figurat e saj i ka parë vetëm në interes të pushtetit të tij. Për shembull, ky njeri që i ngriti monumentin Ahmet Zogut, në vitin 1994 ka thënë:
“…Revolucioni i qershorit 1924 [i Fan Nolit] hapi për ne, epokën e ndritur të demokracisë. Ky revolucion u realizua jashtë çdo aleance të dyshimtë apo marrëveshjeje komprometuese që kish nënshkruar dhe do të nënshkruante më pas Ahmet Zogu për të siguruar e ruajtur fronin e tij…. [Ndërsa] dhjetori i vitit 1924 [kur rierdhi në pushtet Ahmet Zogu] ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë së Fan Nolit nga Ahmet Zogu me mbështetjen e Serbisë përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare. [Dhe pas kësaj] Shqipëria njohu për 68 vjet me radhë vetëm mynxyra, pushtime tiranira, dhe diktatura nga më të egrat…”
Ndërsa 18 vjet më vonë, kur i ngriti shtatoren i njëjti person, Sali Berisha, tha për Ahmet Zogun:
“Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara në të gjithë historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pandashme zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri.”
E pra, kë Berishë të besojmë?
Kam intervistuar shumë herë historianin e njohur Pëllumb Xhufi. Më kujtohet se në korrik 2013 kam biseduar rreth kësaj teme dhe ai e përmblodhi mendimin e tij me këto fjalë:
“Nga njëherë më duket se Sali Berisha dhe e gjithë klasa drejtuese e viteve të tranzicionit post-komunist, qëndrojnë edhe më poshtë se paraardhësit e tyre komunistë përsa i përket moralit dhe integritetit. Në delirin e tyre ideologjik, këta i varfëruan shqiptarët duke i tufëzuar e duke i zhveshur nga çdo pronë e pasuri. Por, të paktën, e filluan këtë aventurë duke dorëzuar të parët pronat e pasuritë e tyre dhe në fund rezultuan po aq të varfër sa edhe të tjerët. Kurse “udhëheqësit” e sotëm, thuajse të gjithë, kur i hynë politikës kishin nga një kacidhe në xhep. Tani, janë latifondistë e bankierë të tillë, që do t’i kishin zili edhe Verlacët e Sinat e dikurshëm. Por përtej këtyre përkimeve me qeveritarët e epokës së komunizmit shqiptar, më ka tronditur ngjashmëria e sjelljeve politike të Sali Berishës me përfaqësuesit më domethënës të një rryme historike të mendimit politik shqiptar, që e ka shprehjen e vet më domethënëse te figura e Esad Pashë Toptanit dhe, deri diku, tek Ahmet Zogu. Individë të tillë, injorantë e gjysmë-injorantë, e mbështetën autoritetin e vet jo në votën e lirë të popullit shqiptar, por në mbështetje krahinore e tribale të fituara me dhunë, para dhe injorancë.”
***
Sidoqoftë tani jemi para një fakti të ri. Tirana (përkohësisht?) nuk e ka statujën e Ahmet Zogut. Atij, sikurse e la të nënkuptohet Bashkia, duhet t’i gjendet një vend i përshtatshëm. Ku? Kjo është çështja. Tre vjet më parë, në gusht të 2017-s pati një debat të gjatë dhe të nxehtë në DITA pas letrës së 93 veteranëve dhe pasardhës veteranësh për figurën e Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës, më saktë për heqjen e statujës së ish mbretit dhe rivlerësimin e ish-udhëheqësit komunist ku silleshin argumente të shumtë në mbështetje të kësaj nisme. Në mënyrë të veçantë, për Ahmet Zogun qëndrimi duket se ishte më i qartë dhe më i prerë: Statuja e Ahmet Zogut, përpara se të mendohej për ta hequr, nuk duhej të ishte ngritur në Tiranë.
A nuk është momenti i përshtatshëm për të korrigjuar një provokim që bëri Sali Berisha 8 vite më parë? Një zgjidhje oportune do të ishte organizimi i një referendumi me popullsinë e kryeqytetit për ngritjen ose jo të statujës dhe për vendin ku e meriton të vendoset. Sali Berisha dhe qeveria e partia e shfrytëzuan 100 vjetorin e pavarësisë për qëllime politike, për të ngritur e lartësuar njërën figurë e për të ulur e denigruar tjetrën, duke i fryrë kështu sherreve e përçarjeve në vend. Ndërkohë që ne vazhdimisht flasim dhe këmbëngulim që historia duhet riparo e pasuruar për t’i dhënë secilit vendin që meriton. Për Ahmet Zogun është folur e shkruar jashtëzakonisht shumë dhe historia e ka thënë fjalën e saj të argumentuar e bindëse. Në rastin e statujës (ringritjes ose jo të saj) bëhet fjalë për korrigjimin e një gjesti arbitrar dhe antihistorik që u krye tetë vjet më parë. Kjo është më se normale të ndodhë. Në mënyrë që statuja e Zogut të mos përdhoset sërish, as me litar rreth qafe dhe as me parulla të padenja për një ish-mbret në faqet e piedestalit.
Na duhet pra një referendum. Edhe për t’u mësuar me një traditë të re që për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndjeshmëri kombëtare, të mos vendosin arbitrarisht ata që vijnë e shkojnë me rotacion në pushtet. Vetëm kështu monumentet dhe statujat do të jenë të paprekshme.
Nuk është e rastit që si shoqëri por edhe si komb shqiptarë në përgjithësi kemi ngecur prapa të gjithëve në fqinjësi e mos të flasim për shtetet e prosperuara europiane.Kombet europiane janë të prosperuara ngase në themelet e showërive të tyre kanë vendosur Vlerat jo Antivlerat.Vetëm tek shqiptarët ndodh që tradhëtarit ti ngrihen shtatore,vetëm tek shqiptarët ndodh që tradhëtia të konsiderohet Intelegjenc dhe vetëm tek shqiptarët ndodh tradhëtia e kryer për fushe,me akte e fakte të rehabilitohet.Ne kemi ndërtuar një rend të ndotur vlerash prandaj jemi shoqëri e ndotur dhe primitive.
Ti qe ke shkruar kte shrim komplet arbitrar .ik ore mesoje mire historin.e Amet Zogut e pastaj lomotit .ik ore gazetar mjeran .ti qenke akoma me mentalitetin e kohes se dulles .po ka len ai sistem pa pa bere tradhtar .po familjen e Ismail Qemalit .? Ik o i zi gazetar i paguar nga kto qe kan rilind nga p… i robve te tyre .