Ish deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, deklaroi se duhej të kishte nisur përgatitja e shkollave, për uljen në banka të nxënësve në 14 shtator.
Sipas tij, Ministria e Arsimit po bën pushime në vend që të ngrejë grupin e punës me specialistë të pedagogjisë e didaktikës, të IT e ekpertë të shëndetësisë, për të hartuar strategji konkrete. Boçi shkruan në rrjetet sociale se problemet e akumuluara për arsimin janë me qindra, por Ministria sillet sikur çdo gjë shkon vaj.
Reagimi i plotë:
Ministria e Pushimeve
Ndërsa e gjithë Evropa është e angazhuar dhe e qartë për të ulur nxënësit në bangat e shkollave dhe arsimin e shpall prioritet numër një, Qeveria e Ministria jonë e Arsimit janë arratisur në pushime të gjata.
Udhëzimi për fillimin e vitit shkollor duhet të kishte dalë, ndërsa përgatitja e shkollave duhet të kishte nisur.
Problemet e akumuluara janë me qindra, por Ministria sillet sikur çdo gjë shkon vaj.
Dështimi i mësimit online duhet rikuperuar me shpejtësi, për të mos krijuar gropa në formimin e brezave, por askush nuk vepron.
Shkollat nga ana fizike në një pjesë të madhe janë të degraduara dhe jashtë standarteve evropiane për shkollat e shëndetshme.
Nuk ofrojnë asnjë garanci higjeno-sanitare dhe realizim të protokolleve shëndetësore.
Investimet për mjete mësimore, apo rikonstruksione janë zero.
Ministrja përpëlitet në deklarata për tre skenarë, sikur do bëjë filmin e rradhës.
Ndërkohë duhet të kishte të ngritur grupin e punës me specialistë të pedagogjisë e didaktikës, të IT e ekpertë të shëndetësisë, për të hartuar strategji konkrete e efikase si zgjidhje reale.
Përkundër kësaj ministria parashtron dilema e s’di akoma kë “skenar” të zgjedhë.
E gjitha si në historinë e gomarit, të cilit i vendosën përpara tagji dhe jonxhë e i kërkuan të zgjedhë vetëm njërën si ushqim.
Duke mos ditur kë të zgjedhë, midis shumë dilemave (dy, ministria ka tre) i ngrati, ngordhi nga uria.
Mos o Zot të na i ndodhë ndonjë gjë ministrisë!!!
Rroftë Ministria online e Pushimeve!!!!