Qeveria italiane akordoi një fond prej 95 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro grant, për rindërtimin e objekteve publike që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit. Marrëveshja u nënshkrua sot në Tiranë nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet në 3 drejtime. Së pari, në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit; në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit dhe në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile, ku eksperienca e mirënjohur botërisht e Italisë do të jenë një ndihmë e çmuar për Shqipërinë. Ahmetaj sqaroi në detaje se si do shpërndahen këto fonde dhe nënvizoi rëndësinë që grupet e punës të punojnë intensivisht për të përmbyllur paketën e plotë të investimeve brenda vitit.
“Jam i lumtur të konstatoj se Italia është vendi që ka marrë rolin drejtues në sektorin e mbrojtjes civile, sektor ku vendet tona ndajnë të njëjtat tipologji të risqeve mjedisore, ku ndihmesa italiane do ishte shumë e çmuar”, tha Ahmetaj. Ai theksoi se “Italia do të jap kontributin në formë granti 5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro për ndërtesa publike të përqendruara në një nga zonat e reja në kryeqytetit, projekt në partneritet me Bashkinë e Tiranës, në kuadër të Programit të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit”.
“1 milionë euro do të jenë për një projekt të përqendruar mbi zanatet e detit në favor të institutit profesional “Hysen Çela” në Durrës dhe 1 milionë euro për mbështetjen e projektit në fushën energjetike, ose mbrojtjen e civile”, tha Ahmetaj. Ndërkohë, ai theksoi se “kontributi në formë ndihme kredie, me interes modest, do të jetë me vlerë prej 90 milionë euro”.
“Nga këto, 35 milionë euro për zhvillimin e programeve në sektorin energjetikës më vëmendje të veçantë tek linjat e energjisë që lidhen me Malin e zi, në funksion të lidhjes nënujore me Italinë; 30 milionë euro tek mbrojtja civile, për krijimin e një flote të re të mjeteve të emergjencës duke siguruar aktivitete formuese dhe asistencë teknike; 25 milionë euro për ‘ekonominë blu’, për forcimin e infrastrukturës portuale të peshkimit. Përparësi është nisja sa më shpejt e punës me qëllim që brenda fundit të këtij vitit të miratohet e gjithë paketa që kemi rënë dakord të gjithë bashkë”,- tha ministri për Rindërtimin Ahmetaj.
/e.rr