Thatësirës i erdhi fundit dhe tani e kanë radhën përmbytjet. Në gjithë Shqipërinë ka pasur reshje të shumta shiu, shoqëruar me përmbytje dhe vështirësi në qarkullim.
Reshjet e shiut që përfshinë kryeqytetin në orët e para të mëngjesit kanë shkaktuar probleme në disa zona të tij. Për shkak të reshjeve të furishme të shiut, në disa rrugë ka prezencë të madhe të ujit.
Probleme ka në rrugët “Siri Kodra” deri te tregu i rrugës “5 Maji” si dhe bë rrugën “Ali Demi”. Vështirësi qarkullimi paraqiten edhe në zonën nga Zogu i Zi deri në Laprakë.
Ndërkohë, në disa lagje, banorët e kateve të para thonë se u ka hyrë uji në banesa.
Stuhia dhe reshjet e dendura kanë rrëzuar edhe pemë tek rruga e “Barrikadave”. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale pasi pema ka rënë mbi disa mjete të parkuara anës rrugës.
Një rebesh i fuqishëm shiu dhe ere ka përfshirë edhe veriun e vendit, shkruan Balkanweb. Për pasojë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së të shtunës kanë mbetur Puka, Kukësi, Hasi e Tropoja.
Si pasojë e e reshjeve të dendura ka pasur edhe rëshqitje inertesh në disa akse rrugore.
Humbet 27-vjeçari në hidrocentral
Një 27-vjeçar nga Dibra është shpallur i humbur, pasi ka humbur kontaktet me familjarët prej mbrëmjes së djeshme. Dyshohet se i riu Adil Vladi mund të jetë mbytur, pasi shkoi për të pastruar kanalet e HEC-ve Lura 1 dhe 2.
Por që nga ai moment familjarët kanë humbur kontaktet me 27-vjeçarin.
Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në kërkim të tij.
***
Uji i shiut ka përmbytur edhe katin e parë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Ndërkaq, në autostradën Tiranë-Durrës niveli i ujit është i lartë dhe radha e automjeteve i kalon tre kilometra.
Në Shkodër, reshjet kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme, ndërkohë që një pjesë e madhe e banorëve ka mbetur pa energji, për shkak të dëmeve në rrjet.
Veliaj: Jemi në gatishmëri
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u është drejtuar qytetarëve me një mesazh në Twitter, lidhur me reshjet e shumta që kanë rënë gjatë gjithë natës e vazhdojnë të bien.
“Javë shirash, të gjitha brigadat në terren.
Telefoni 128 për raste emergjencash.
Evitoni kalimin në aksin Zall Dajt-Zall Bastar.
Kujdes pranë lumenjve e përrenjve sot”.
Në Dibër 70 shtëpive iu janë dëmtuar çatitë nga fortuna.
Dëmtohet çatitë në Mat
News24 bën të ditur se në rrethin e Matit janë dëmtuar rreth 150 çati të disa banesave. Problematike sipas tij ngelet situata dhe në akset rrugore, ndërsa mësohet se një urë është shembur.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në aksin rrugor Burrel-Milot. Në Shkopet ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme inertesh.
Gjendja në Jug
Moti i keq ka përfshirë dhe jugun e vendit. Në Vlorë një pjesë e qytetit por dhe në Orikum, Dukat, si dhe disa fshatra të lumit të Vlorës, Mifol, fshati Fitore dhe komuna Novoselë raportohet se janë pa energji elektrike. Ndërkohë, në Fier, raportohet se lumi Gjanica ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situatë kritike thuhet se është në lagjen “1 maji”. Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer dhe me erëra të forta kanë ndërprerë energjinë elektrike për Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
OSHEE në emergjencë për motin e keq
OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës te energjisë elektrike.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda kohe të shkurtër. Gjithashtu, shoqëria thekson se ndërhyrjet në rrjet kanë minimizuar defektet, megjithatë problem vijojnë të mbeten zonat rurale.
Në një njoftim për median, OSHEE pohoi se në 10 Drejtoritë Rajonale dhe ne terren po punon një personel prej 1200 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 16 grupe për ndjekjen e regjimit të punes dhe 20 inxhinierë të sigurisë në pnë.
Nga avaritë të Tensioni i Lartë janë prekur këto zona:
-Linja L 30-5 Shkozet – Mali Robit
-Linja 30-3/1 Shijak – Ndroq
-Pa energji Nst Durrës dhe N/st Porto Romano për shkak të demtimit të linjave 35 kV
– N/st Shkozet vazhdon puna për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar në linjat TM 20 kV, 10 kV, 6 kV
Nga avaritë në Tensionin e Mesëm, janë prekur këto zona:
Gjirokastra
Ka në avari 12 fidera si pasoje e erës së forte dhe kohës së keqe me shi gjate natës e në vazhdim. Zonat e mbetura pa energji janë: Ballaban, Piskovë, Sukë, Lekli, Lunxheri/ Kelcyrë; Zagori, Lazarat Gjirokastër, Kosine Petran/ Permet
Kukës
Ka në avari 9 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: Rexhepaj, Kalimash, Cahan, Qytet Kukes; Lekbibaj, Fierzë, Rragam, Valbonë, Bujan Pac në Bajram Curri
Burrel
Ka në avari 14 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: zonat Shupenzë, Kraste, Komsi, Klos, Cerrunje, Sllove, Zall Dardhe
Durrës
Ka në avari 19 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë zonat Xhafzotaj, Spitallë, Romanat, Koxhas dhe ish Kenete