Policia jep detaje të tjera mbi vetvrasjen e milionerit Eugert Lazaj, i cili u gjet i pajetë nga të afërmit në vilën luksoze në Rrolling Hill.
Në vijim të hetimeve që po kryhen nga agjentët e krimeve, njoftohet për gazetën “Si” se laboratori i kriminalistikës ka konfirmuar se arma me të cilën 37 vjeçari u vetqëllua i përket shtetasit me inicialet R.P. Arma është e llojit Glock tregoi një burim zyrtar i gazetës “SI” dhe me numër serial Z… Burimet thanë për gazetën “Si” se kur policia e ka pyetur shtetasin R.P, ai ka thënë se pistoleta i kishte humbur prej 20 muajsh dhe këtë fakt e kishte pohuar para policisë dhe prokurorisë. “Nuk e njoh Eugert Lazajn”, – ka këmbëngulur ai në një deklaratë të marrë për sqarimin e kësaj ngjarjeje
Policia deklaron gjithashtu për gazetën “SI” se ka marrë në pyetje të afërmit që gjendeshin në vilë ditën e ngjarjes.
E ëma e milionerit që zotëronte një kompleks luksoz për dasma në kryeqytet ka treguar se menjëherë pas pandemisë i biri ishte mbyllur në shtëpi nga frika e koronavirusit: “Atë ditë rreth orës 6.45 në një gjendje jo normale më pyeti: ‘kush më hyn në telefon dhe më bën muzikë’. Ai i kishte thyer edhe dy telefona të tjerë, kishte hequr fishat e televizorit, dilte nga dhoma në mënyrë të pakontrolluar, pretendonte se dëgjonte zhurma dhe muzikë” .
Urani Lazaj, sipas burimeve të gazetës “Si”, thotë se i biri nuk kishte konflikte, mosmarrëveshje apo borxhe me askënd.
I riu drejtonte një biznes eventesh në Maminas dhe ditën e ngjarjes, në një nga vilat e rezidencës, përveç të ëmës gjendej edhe bashkëshortja e viktimës së bashku me dy fëmijët e mitur.
“Im bir kishte kohë që nuk dilte jashtë nga frika e koronavirusit… Djali ka vrarë veten, nuk i di arsyet se përse. Dyert ishin të mbyllura, dritaret dhe grilat”, deklaron gruaja për policinë sipas pohimit për gazetën “Si” nga një agjent i zbardhjes së ngjarjeve.
Banesa survejohej së jashtmi me kamera, ndërsa brenda jo. Edhe i ati i milionerit, që u njoftua nga të afërmit menjëherë pas ngjarjes, tregoi se prej ditësh i biri pretendonte që shikonte persona. “Kjo paranojë i filloi në kohën e karantinës ku qëndronte me orë të tëra i mbyllur. Fiksohej se shikonte njerëz jashtë vilës, por ne nuk shihnim asnjeri, kurse vila kishte alarm dhe kamera dhe ato nuk tregonin gjë” . Burri tregon se mbrëmjen përpara ngjarjes, i biri kishte mbyllur grilat pasi në një anë të vilës kishte rënë alarmi.
“Më pas e ç’aktivizuam alarmin e jashtëm, por më pas ai kërkoi grila të ngurta pasi u fiksua që kishte persona jashtë, edhe pse jashtë shtëpisë nuk shikonim asnjë person”, thotë babai i viktimës.
Sipas familjarëve, gjendja e të riut ishte rënduar javë më parë kur ai thyente telefona dhe i kërkonte edhe familjes që të mos mbanin telefona. “Për këtë arsye i kërkova bashkëshortes të kthehej nga Gjermania që t’i qëndronte djalit pranë”, – tregoi i ati, i cili kujton para policisë se po tentonin ta bindnin që ai të udhëtonte drejt Gjermanisë pasi ishin shtetas gjermanë
“Unë nuk e dija që im shoq mbante armë” rrëfen bashkëshortja e cila këmbëngul se me Eugertin shkonte shumë mirë dhe nuk e dinte se përse ai i dha fund jetës.
Burimet për gazetën “Si” pohojnë se dosja do të referohet për veprën e shkaktimit të vetvrasjes sipas nenit 99 të Kodit Penal, por pa dhënë me tepër informacion se përse dyshohet të jetë vetvrarë milioneri shqiptar./ gazeta si
g.kosovari