Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 30 vajza dhe djemve, të cilët përfunduan kursin 1-vjeçar të oficerit të ri në Forcat e Armatosura.
Gjatë kësaj ceremonie, Xhaçka njoftoi rihapjen e Akademisë së Forcave të Armatosura për maturantët shqiptarë për ciklin akademik 2020-2023.
Në prag të përzgjedhjes nga maturantët të universiteteve ku ata duan të studiojnë, ministrja Xhaçka u bëri thirrje atyre të marrin në konsideratë studimet bachelor në Akademinë e Forcave të Armatosura. “Sot, ushtria fillon e kthehet në një profesion të mirëfilltë, që ofron mundësi avancimi e karriere për çdo djalë e vajzë që ka dëshirën për t’i shërbyer vendit, aftësinë për të përballuar sfidën akademike, por edhe atë fizike e të terrenit si dhe disiplinën që është pjesë e karakterit të çdo ushtaraku. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë maturantëve që besojnë se i plotësojnë këto kritere, që të aplikojnë për ciklin akademik 2020 – 2023. Dhe i garantoj që do të gjejnë këtu rrugë e mundësi jo thjesht shumë më të mëdha seç i kanë menduar, por edhe shumë më konkrete sesa ato që ofrojnë shumë e shumë degë të tjera të institucioneve të arsimit të lartë”, deklaroi Xhaçka.
Akademia e Forcave të Armatosura ofron 60 kuota për maturantët për programin bachelor në Shkenca Ushtarake.
Akademia ofron kushte jashtëzakonisht të favorshme për çdo maturant. Që nga akomodimi dhe ushqimi falas për të gjithë periudhën e studimit, tarifë studimi 0 lekë në vit, pagesë mujore ndihmëse për të gjithë periudhën e studimit dhe punësim të sigurt pas përfundimit të studimeve.
g.kosovari