Kryesia e Partisë Demokratike ka emëruar sot 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, që është përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga anëtarët. Kjo është hera e parë në Shqipëri, ku kandidatët nuk përzgjidhen nga Kryetari i Partisë, por nga personalitete, brenda dhe jashtë strukturave të Partisë.
Sipas vendimit të Kryesisë së PD, anëtarë të kësaj strukture të rëndësishme dhe të re të Partisë Demokratike, do të jenë:
1. Bujar Nishani, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ish-President i Republikës, ish-ministër dhe ish-deputet.
2. Besnik Mustafaj, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur.
3. Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, ekonomist dhe pedagog i njohur.
4. Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës, historiane, shkrimtare dhe studiuese. Master në Histori dhe PhD në Histori Bashkëkohore dhe Histori të Evropës Jug-Lindore në Universitetin e Graz në Austri. Aktualisht është edhe anëtare e Bordit të Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
5. Mark Marku, analist, pedagog në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Gazetarisë. Master në Institutin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit (IRCOM), Anger, Francë dhe doktoraturën në shkencat e informacionit dhe komunikimit në Universitetin Paris 2, Francë. Ish-deputet i PD.
Komisioni do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.
Sipas Partisë Demokratike, Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.
g.kosovari