Dëshirën për të luajtur në ndeshjen finale të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, nuk ia ndaloi as shtatzënia! Barku i rrumbullakët që kishte filluar të duket edhe sipër bluzes së gjerë të uniformës, nuk e pengoi portieren shkodrane Ardiola Raxhimi që të zbriste në fushë e për t’i dhënë fitoren skuadrës së saj.
Vllaznia triumfoi 4-0 përballë Apollonisë, në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena” dhe Kupën nuk e ngriti kapitenia Megi Doçi siç tradita e kërkonte, por nga portierja Raxhimi. Një ngjarje kjo shumë e veçantë në historinë e futbollit shqiptar, ndoshta edhe në atë botëror, që vjen nga Shkodra. Në përfundim të ndeshjes, e lumtur për fitoren, Raxhimi zbuloi edhe ‘sekretin’.
“Një sekret i vogël. Mund t’ia kemi bërë me hile, pasi ne kemi luajtur me “12 vetë”, pasi unë së shpejti do të bëhem me një bebe”, u shpreh portierja e Vllaznisë Ardiola Raxhimi.
g.kosovari