Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha, ka zgjedhur sërish edhe kësaj here, rrugën e vetme dhe më të lehtë për tu zvarritur drejt humbjes, bojkotin edhe të Këshillit Politik. Pas miratimit në Parlament me shumicë votash të ndryshimeve kushtetuese, kryetari “opozitës së shpartalluar” ka dalë mes aleatëve, dhe ka kërcënuar dhe paralajmëruar jo vetëm kryeministrin me burg “kur të vijë në pushtet”, por ai ka paranjoftuar se “do të braktisim edhe Këshillin Politik”.
E vetmja gjë që e ngushëllon Lulzim Bashën në raste të tilla (të cilat vitet e fundit i ka patur shpesh) është vajtja në zyrën e tij në SHQUP, të ambasadorëve. Kur një ambassador i troket në derë, Lulzim Basha bën festë, ndjehet më i lehtësuar, ndjehet më kompetent, ndjehet më i fuqishëm, dhe pastaj nis e sulet edhe qeverisë. Por gjithsesi vajtja në zyrë e ambasadorëve, nuk ka dyshim se shoqërohet edhe me “këshilla” të padiskutueshme për atë dhe partinë e tij. Lulzim Basha, duket se nuk e ka kuptuar akoma, se SHBA dhe Bashkimi Europian, nuk kanë kohë të tepërt, se nuk kanë qejf edhe lojërat me “kukamshefi” që bëjnë politikanët e tipit të zotit Basha, ashtu sikundër nuk duan të kenë të bëjnë, me kryetarë partish që përkëdhelen çdo 6 muaj, apo çdo 4 vjet. Bojkoti, ka qenë dhe mbetet kryefjala dhe filozofia e drejtuesve të PD, nga koha e Doktorit deri sot, madje këtë ndjenjë “fantasitike” allashqiptare, ja injektojnë edhe të rinjve si fillim, që afrohen në derë të SHQUP-it. Partia Demokratike realisht u ndodh para faktit të mbështetjes dhe përkrahjes nga faktori ndërkombëtar, edhe i ndryshimeve kushtetuese që miratoi Parlamenti në 30 korrik, gjë e cila i hapi rrugën zgjedhjeve me standarde Europiane, paçka se edhe vetë zoti Basha e ka përshëndetur në heshtje atë. Por ajo që i ndodh gjithmonë kryetarit të ish-opozitës, është riaktivizimi i sindromës së trashëguar, “bojkotit”.
Ai ka vendosur “si burrat ti thotë jo” Këshillit Politik, madje arrin të merret edhe me muhabete kafanesh, se “do të burgos Edi Ramën sapo të vij në pushtet pas zgjedhjeve”. Kaq mjafton të themi se, zgjedhjet e 2021 Partia e Bashës dhe aleancave të tij verore, i ka të humbura. Realisht ai po projekton bojkotin e madh postzgjedhor, sepse qysh tani e di, sa vota dhe sa deputetë do të marrë, nisur kjo nga katandisja e partisë nga qendra deri në bazë. Ish-opozita e bashkuar, realisht gjendet mes dilemma të mëdha, ku nga njëra anë Lulzim Basha mundohet të mbajë me gajret edhe ata pak kryetarë partiçkash deri ditën e votimeve, nga ana tjetër shihet qartë se LSI, nuk do të ketë shanse ti bashkohet PD në rrugëtimin e saj të fundit si “parti pushteti”. E vetmja gjë e cila mban ngrehur shpresën e Lulzimit për “ndryshim politik ”, mbetet bojkoti i tryezave, takimeve, debateve, marrëveshjeve, dhe padyshim bindja e padiskutueshme ndaj ambasadorëve. Ai ka kohë që luan me fatet e partisë tij, fatet e vendit, fatet e shqiptarëve, ai ka kohë që luan rolin e politikanit “të zemëruar, të cunguar”, duke gjetur si rrugëdalje të vetme, bojkotin.
Ashtu siç bojkotoi Parlamentin, ashtu siç bojkotoi bashkitë dhe institucionet e tjera ligjore, ashtu siç bojkotoi bazën e Pd, nuk e ka për gajle, të bojkotoi edhe Këshillin Politik. Por kësaj here, bojkoti nuk “pi ujë” më zoti Basha, gjithçka ka votën e shumicës së deputetëve në Parlament, por edhe gjithë shqiptarëve të zgjuar, që duan këtej e tutje zgjedhje europiane.