Zbulohet kokainë e cila dyshohet se do të shitej në Berat, duke shpallur në kërkim një person.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Policinë Berat, në bashkëpinim me Prokurorinë Berat, organizuan operacionin të koduar “The Drug Dealer”, në kuadër të të cilit u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 47 vjeç, banues në Dërmenas, Fier.
Efektivët e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Xh., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 543 gramë lëndë narkotike të llojit kokainë.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve u proceduan në gjendje të lirë K. G., 24 vjeç dhe G. S., 30 vjeç, të dy banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat, pasi dyshohet se bashkëpunonin me shtetasin A. Xh., për shitjen e lëndës narkotike.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.