Tre persona janë arrestuar në zonën e Livadhjasë pasi dyshohen se kanë kryer disa vjedhje banesash në këtë zonë dhe në disa fshatra grekë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Kamistiani”, autoritetet ndaluan shtetasit me iniciale E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të tre me banim në Burrel në hyrje të Livadhjasë teksa tentuan të largohen me automjetin e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 laptop, dylbi, doreza duarsh dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet.
“Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Rendit në Livadhja, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të tre me banim në Burrel” – njofton policia.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje të tjera në fshatrat përreth dhe Policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Vjedhja”e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.