Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka drejtuar akuza ndaj ish-funksionarëve të partisë së tij, të cilët, sipas tij, janë duke e ndihmuar LSDM-në të krijojë shumicën parlamentare.
“Këta janë njerëzit që janë më meritorët që Zoran Zaevi tashmë tri vite është duke e shkatëruar Maqedoninë, janë po të njëjtët njerëz që tani kanë rolin t`i ndihmojnë Zaevit, në kushtet e tashme të formojë shumicën parlamentare”, ka thënë Mickoski.
Ndërkohë, lideri i integristëve Ali Ahmeti, përmes Facebook-ut, ka njoftuar se në Shkup ka takuar kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin, që në këto zgjedhje ishte në koalicion me socialdemokratët.
Siç thuhet, gjatë takimit janë dakordësuar të vijojnë përpjekjet në rrugën euroatlantike të vendit, si dhe reformat e shumëpritura në drejtim të sundimit të ligjit, duke zhvilluar dialog të hapur dhe të vazhdueshëm.
Ndërkohë Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka nënshkruar vendimin për thirrjen e seancës së parë konstituive të Parlamentit. Kjo seancë do të mbahet më 4 Gusht, të martën në orën 12:00 dhe për shkak të pandemisë do të zhvillohet konform rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi.