Sinjale për fund të krizës politike janë dhënë të premten, kur liderët e subjekteve shqiptare në pushtet e në opozitë nuk e kanë kundërshtuar një propozim-marrëveshje që u është ofruar nga dy deputetë – Vjosa Osmani e Ilir Deda. Teksti përmban një gjuhë elastike, nuk lë humbës dhe ka marrë mbështetje nga shoqëria civile dhe nga diplomatë ndërkombëtarë, shkruan Koha Ditore.
Osmani, ndonëse i takon LDK-së që për lider ka kryeministrin Isa Mustafa, është zë opozitar brenda koalicionit. Deda, ndërkaq, i takon subjektit kryesor politik opozitar, LVV-së, por ka kundërshtuar veprimet e dhunshme të kolegëve të tij deputetë, e më të cilat është bllokuar puna e Kuvendit gjatë gjithë sesionit vjeshtor. Prandaj, të dy shihen si ndërmjetës më legjitimë.
Në kampet e secilit prej liderëve të subjekteve shqiptare në Kuvend, ka munguar përgjigje e prerë përkitazi me këtë propozim.