Në prag të festës së Kurban Bajramit, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka takuar Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. BIK-u pas konsultave ka marrë vendim që falja e namazit të sabahut të mos bëhet në xhami.
Ndërsa sipas BIK-ut, falja e namazit të Bajramit do të bëhet në orën 06:03 minuta dhe nuk do të lejohen më shumë se 50 persona brenda xhamisë. Kërkohet që të ruhet distanca, si brenda ashtu edhe jashtë objektit të xhamisë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Ndërsa xhemati do të prezantohet në xhami 10 minuta para faljes së Kurban Bajramit për të dëgjuar ligjëratën e cila nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta. Nuk do të lejohen në xhami personat mbi moshën 65 vjeç, edhe ata nën 16 vjeç. Ndërsa ka kërkuar nga qytetarët që të mos vizitojnë familjarët nëpër shtëpitë e tyre për nder të festës së Bajramit.
Ndërkohë sot në gjithë Kosovën nga ora 12:00 deri në orën 14:00 janë mbyllur të gjitha lokalet në shenjë pakënaqësie pasi që nuk lejohen të funksionojnë pas orës 21:00.
Pronarët e lokaleve kanë protestuar duke e dorëzuar ia çelësin në mënyrë simbolike qeverisë së Kosovës.
Kryeministri më pas ka pritur në takim anëtarët e shoqatës të cilëve u ka premtuar se masat e pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, do ta lehtësojnë përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia, ndërsa nga gastronomia ka kërkuar që t’i respektojnë me përpikëri masat e parapara ndaj Covid-19, në mënyrë që mos rrezikohet shëndeti i klientëve.