Ditën që shumica socialiste vendosi që të mos e shkarkonte, Presidenti Ilir Meta i dërgoi një mesazh kërcënues. Kreu i shtetit ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video nga mitingu i 2 marsit duke evidentuar thirrjet ‘shpërndarje, shpërndarje’ referuar parlamentit.
Presidenti në një mesazh direkt për shumicën shkruan se populli i 2 marsit nuk ka ikur nga bulevardi.
E ndërsa edhe njëherë tjetër del hapur me qëndrimin e tij pro opozitës, kur shkruan se së bashku me parlamentin e ardhshëm, duke i parashikuar si fitues, do të miratojnë ligjin për referendumet, Meta deklaron se përpos hapjes së listave 100%, kërkon që presidenti të zgjidhet nga populli dhe po ashtu të miratohet ligji për referendumet.
“Duke kujtuar 1-vjetorin e “Luanit të Artë” të Venecias, sot më duhet të riangazhohem që së bashku me Parlamentin e ardhshëm të miratojmë Ligjin për Referendumet në mënyrë që armiqtë e popullit të mos lodhen kaq shumë duke folur në emër të Tij.
Populli flet vetë me zërin dhe votën e tij!
Po afron ora që të rimarrë tërësisht sovranitetin në duart e tij:
1. – Deputetët 100% nga Populli.
2. – President i Republikës nga Populli.
3. – Ligj për zhbllokimin e së drejtës kushtetuese për Referendumet.
Populli i 2 marsit është garancia më e mirë.
Populli nuk ka ikur nga Bulevardi. Do largohet vetëm ditën kur të miratohet Ligji për Referendumet” shkruan Meta.
/e.rr