Pandemia e koronavirusit do të provokojë një rënie të paparë në ekonominë gjermane, sipas një raporti mujor, të publikuar sot nga Banka Qendrore gjermane, Bundesbank.
”Tremujori i dytë i vitit 2020 ka të ngjarë të sjellë me vete rënien më të madhe të Produktit të Brendshëm Bruto në terma realë, që nga fillimi i publikimit të PBB-së, i botuar nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis), që nga viti 1970”, tha banka.
Destatis do t’i botojë të dhënat paraprake të tremujorit të dytë të enjten, ndërkohë që ekonomistët presin që rënia ekonomike të arrijë shifra dyshifrore.
Në tre muajt e parë të vitit, ekonomia gjermane u tkurr me 2,2% në krahasim me tremujorin e kaluar.
Rënia më e mprehtë nga viti në vit e PBB-së, 7,9% u raportua për tremujorin e dytë të vitit 2009, në kulmin e krizës financiare.
Raporti i Bundesbank-ut për korrikun, megjithatë, dha gjithashtu shkas për shpresë, duke theksuar se “pika e ulët e aktivitetit ekonomik ka të ngjarë të ketë arritur tashmë në prill”.
Ekonomia ka filluar rimëkëmbjen e saj që nga kufizimet gjithëpërfshirëse dhe mbylljet e detyruara, në përgjigje të përhapjes së virusit në mars, që janë hequr ose lehtësuar gradualisht që nga maji.
“Shërimi i ekonomisë pritet të vazhdojë në gjysmën e dytë të vitit”, shkruajnë ekonomistët e Bundesbank-ut duke shtuar se ndihma ekonomike e miratuar së fundmi në parlament do të kontribuojë në këtë.
Qeveria gjermane ka vendosur masa për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, në një paketë stimulimi prej 130 miliardë eurosh.
Kjo përfshinte një ulje të TVSH-së, nga 19 në 16% dhe nga 7 në 5% për sendet e konsumit të përditshëm, që ka për qëllim të nxisë konsumin.
/a.r