Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri u ka dërguar një e-mail anëtarëve të këshillit në fjalë, në përgjigje të asaj çka shkroi Bylykbashi, në email-in e dërguar prej tij.
“Mbledhja e fundit e Këshillit Politik në të cilën ju paraqitët zyrtarisht kundërshtitë rreth amendamenteve të pritshme kushtetuese, u konsiderua nga ne një mbledhje vërtetë e vlefshme. U qartësua plotësisht pozicioni juaj rreth tyre në sensin e implikimeve që duhen adresuar dhe iu hap de fakto rruga një diskutimi konstruktiv për të detajuar rregullimet e pritshme në Kodin Zgjedhor. Kundërshtitë dhe argumentet që ju përcollët nëpërmjet qëndrimit zyrtar, qartazi nuk i kundërvihen dhe nuk vënë as thelbësisht, as formalisht në pikëpyetje asnjërin nga formulimet e amendamenteve kushtetuese. Kundërshtitë dhe argumentet tuaja lidhen me formulimet e dispozitave të Kodit Zgjedhor, të cilat do të reflektojnë amendamentet kushtetuese. Këto dispozita nuk janë formuluar ende. Rreth tyre, ne kemi natyrshëm në këtë stad qëndrime dhe qasje të ndryshme nga njëri-tjetri, por prandaj është e udhës të mos humbasim kohë me propagandë frenuese dhe të përveshim mëngët bashkërisht për të gjetur mundësisht një dakordësi të gjerë”, shkruan Gjiknuri.
Më tej vazhdon:
“Në fazën aktuale të diskutimit, asnjëri nga ne nuk është në gjendje të argumentojë se hapësirat për këtë dakordësi mungojnë dhe pozicionet respektive janë të papajtueshme. Mua personalisht me duket se është e kundërta madje. Për këtë qëllim duhet që grupi të mblidhet e të rimblidhet me durim dhe frymë mirëkuptimi, derisa argumentet të shterohen dhe rrugët e dakordësisë të eksplorohen në frymën e arritjes pozitive të 5 qershorit. Mazhoranca parlamentare i qëndron pikës së marrëveshjes që përfshin ekspertizën e ODIHR-it në rastet e kundërshtive në diskutim. Sikurse e mbani mend fare mirë, është mazhoranca që e ka vënë në lëvizje këtë mekanizëm në fazën e parë të punës sonë, kur opozita jashtëparlamentare bllokoi promovimin e barazisë gjinore dhe marrjen e masave proaktive për mbrojtjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Ekspertiza e ODIHR-it ishte shumë e dobishme, pavarësisht se opozita jashtëparlamentare e refuzoi edhe këtë ekspertizë dhe imponoi formulimet minimaliste dhe jogarantuese që u miratuan tashmë në ligjin elektoral, në emër të shpirtit të kompromisit nga ana jonë. Gjithsesi, ne nuk refuzojmë dhe kemi besim të padiskutueshëm tek ekspertiza e ODIHR-it por ekspertiza e ODIHR-it nuk i përket këtij momenti. Ajo duhet pasi ne të kemi përfunduar (nëse pa sukses) ushtrimin tonë në kërkim të konsensusit për formulimet e Kodit Zgjedhor. Ekspertiza e ODIHR-it nuk mund të thirret për amendamentet kushtetuese sepse për to ne nuk kemi asnjë kontestim, për asnjë fjalë, për asnjë presje. Nuk kemi asnjë formulim konkurrues, apo alternativ. Sikurse sqaruam edhe në mbledhjen e fundit, kërkesa juaj për hapjen 100% të listave të kandidatëve është e adresuar si hapësirë e disponueshme në formulimin e kompromisit të draft-amendamenteve kushtetuese të cilat ndodhen në procedurën parlamentare. Edhe pretendimi juaj për ruajtjen e medoemos të formulës aktuale të koalicioneve ka marrë një përgjigje në parim nga mazhoranca. Ne jemi gati ta shqyrtojmë këtë formulë, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura. Referimi te modeli është i rëndësishëm sepse ai është kriteri praktik që do na ndihmojë për të konkluduar rreth realizueshmërisë së kërkesës suaj dhe rreth përputhshmërisë së saj me të mirën më të lartë, atë të zgjedhësve. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe pyetjet që unë u kam parashtruar ekspertëve vendas, të njëjtëve ekspertë që na kanë hartuar dhe na kanë ndihmuar të miratojmë amendamentet e Kodit Zgjedhor, listën e gjatë të projekt/amendamenteve të ligjeve të tjera tashmë të përfunduara, amendamentet në ligjin për nëpunësit civilë, si dhe projektligjin e ri zgjedhor që do të kalojmë në vijim të punës sonë. Insistimi juaj që duhet marrë më parë ekspertiza e ODIHR i shërben thjesht qëllimit për të bllokuar apo zvarritur në kohë miratimin e amendimeve kushtetuese. Këshilli Politik është krijuar si forum konsultimi me ju për realizimin e reformës zgjedhore dhe jo si instrument bllokimi. Referencat tuaja në dokumente e marrëveshje nuk kanë të bëjnë me amendimet kushtetuese për aq kohë sa dhe ju nuk keni asnjë kundërshtim në lidhje me to por jeni në dukje të shqetësuar për mënyrën se si ato do të sanksionohen në Kodin Zgjedhor.”
Për ta përmbyllur me:
“Nisur nga fakti se këto amendime janë për votim në 30 Korrik 2020, duhet të presim miratimin e tyre dhe më pas të fillojmë punën për reflektimin e tyre sa më shpejt në ligjin zgjedhor. Mendoj se kjo duhet të jetë e vetmja qasje jo paragjykuese dhe konstruktive në frymën e asaj që kemi realizuar së bashku deri më tani.Edhe pas dhënies së dakordësisë nga ana juaj, mbledhja e ardhshme e Këshillit Politik është ditën e martë 28 Korrik 2020, ora 11:00.”
/a.r
PS i fton në Këshill Politik, opozita: Të hapen listat 100%, të mos preken rregullat për koalicionet