Nga Ilir Beqaj
Për herë të parë për lidhjen e defterëve të Çiçikovit me financat publike kam dëgjuar nga Ridvan Bode në maj 2009, në studion e emisionit Opinion. Unë me kolegun Ditmir Bushati. Bode me zonjë Majlinda Bregu. Ishte koha e fushatës elektorale 2009.
Zoti Bode u rrek të tregojë kush ishte Çiçikovi. Helbete, Bode e njihte Çiçikovin, jo se kishte lexuar Gogolin, por sepse njihte fenomenin Cicikov ngaqë njihte mirë kooperativat bujqësore dhe historinë e krijimit të tyre.
Në të vërtetë kur u krijuan kolkozet sovjetike, u shuajtën defterët e Çiçikovëve ku mbaheshin shënime për taksat që feudalët në Rusinë cariste paguanin për bujkërobët e tyre , të gjallë apo të vdekur. Bodes ia kam dhënë përgjigjen në atë emision. Partisë së Bodes ia dhamë përgjigjen në 2013.
Pas 7 vjetësh, sot, u ricikluan përsëri në publik defterët e Çiçikovit. Keqardhje që ricikluesit janë shumë më të rinj sesa kooperativat bujqëore. Por mund të jetë edhe çështje borderoje.
Në mesin e pandemisë, kur fatalitetet prej Covid 19 po shtohen përditë është shumë cinike t’i referohesh personazheve të letërsisë botërore të njohur si mbajtës të regjistrave të të gjallëve dhe të të vdekurve.
Për të vlerësuar mirëqënien na vijnë në ndihmë edhe depozitat, edhe konsumi i familjeve. Për depozitat kam folur para disa ditësh dhe në këtë profil mund të lexoni vetë. Për konsumin e familjeve le ta vazhdojmë debatin në shtator kur të publikohet Anketa e Buxheteve Familjare për vitin 2019.
Ndërsa për vitin 2020 është ende shpejt të dijmë realisht sa do të jetë GDP-ja, sa borxhi publik. Edhe sikur të ishte vit i zakonshëm. Jemi të vetdijshëm që vlera nominale e GDP-së së 2020 do të jetë më e ulët sesa ajo e 2019, ndërsa borxhi publik do të rritet ndjeshëm.