Nga donatorët në procesin e rindërtimit, Turqia duket se do të fillojë e para ngritjen e banesave të reja, në zonën e Laçit që i është përcaktuar nga autoritetet shqiptare. Pengesë e vetme është dorëzimi i vendit nga pala jonë që siç njoftoi ministri Ahmetaj do të bëhet këtë javë. Bëhet fjalë për 522 njësi të reja banimi, mes tyre edhe 37 njësi biznesi.
“Kemi vendosur një afat 1-vjeçar për përfundimin e njësive të banimit që do të ndërtojmë në qytetin e Laçit. Puna do të nisë me shpejtësi sapo të marrim në dorëzim sajtin. Kemi në dispozicion një truall prej 72 mijë metrash katrorë. Kemi si objektiv që ndërtimin ta përfundojmë edhe më herët, 6-7 muaj nga nisja dhe t’ju dorëzojmë çelësat e shtëpive vëllezërve tanë në Shqipëri”.
Ministri i Infrastrukturës i Turqisë, Murat Kurum, flet edhe për eksperiencën e agjencisë së ndërtimeve TOKI, për të nxjerrë në pah cilësinë e punimeve që do të kryhen në Laç.
“TOKI ka teknikë të mirë dhe eksperiencë në ndërtim. Në Turqi ka ndërtuar rreth 940 mijë njësi banimi. Gjithashtu u kemi ardhur në ndihmë edhe qytetarëve në vende të tjera si Somali, Pakistan, Indonezi apo Sri Lanka. Jemi të sigurt se do të kemi sukses edhe në Shqipëri”.
Autoritetet turke e bënë gati në një kohë rekord projektin e njësive të reja të banimit që në fund të muajit Dhjetor, rreth 1 muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit.
/a.r