Që në orët e para të mëngjesit në pikën doganore të Kakavijës, ndryshe nga ajo e Kapshticës, u rregjistuan radhë kilometrike automjetesh.
Më shumë se pesë orë pritje ka bërë që të irritohen të gjithë udhëtarët, për shkak edhe të temperaturave të larta.
Mësohet se shkak i bllokimit në Kakavijë u bë mos rakordimi i sistemit kompjuterik mbi aplikacionin që plotësojnë shtetasit e huaj para se të hyjne në Greqi, i cili është i detyrueshëm për t’u plotësuar në kushtet e pandemisë nga ky shtet.
Lëvizja normale ka filluar në këtë pikë pas rregullimit të sistemit nga pala greke reth ores 10 e 30. Ndërkaq shteti grek vijon të ketë të mbyllur kufijtë me vendin tonë, kjo si shkak i rritjes së numrit të personave me COVID-19.
Ashtu si vendet e tjerë të BE-së, edhe me Greqinë, nisur nga numri i lartë i të prekurve me koronavirus, kufiri nuk do të jetë i hapur të paktën deri më 1 gusht. Por me Greqinë ndryshe nga vendet e tjera, pas një marrëveshjeje mes dy qeverive, ka një kategori qytetarësh shqiptarë, që mund të kalojnë kufirin.
Lëvizjet për në Greqi, pavarësisht ndonjë situate si dita e sotme, vijojnë të realizohen sipas marrëveshjes së kaluar mes dy shteteve, çka do të thotë se vazhdojnë të kalojnë përmes pikave kufitare edhe shtetasit që fituan të drejtën për punë sezonale, shtetasit e pajisur me karta pune një vjeçare si dhe ata shqiptarë që kanë pasaporta dhe katra të vendit fqinj.
Burime zyrtare pranë drejtorisë vendore të kufirit dhe migracionit bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë e kanë dalë nëpërmjet kësaj pike kalimi kufitar më shumë se 1600 shtetas shqiptarë e të huaj. Numër ky që ka ardhur në rritje gjatë ditëve të fundit.
Të vetmit persona që vijojnë të kalojnë pa asnjë problem kufirin janë shtetasit rezidentë, si dhe shqiptarët që disponojnë dokumente të rregullta në Greqi.
Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ndryshe nga pikat e tjera kufitare me Greqinë, gjithçka duket normale. Puna po vijon me tre sportele në dalje dhe dy sportele në hyrje për të përballuar fluksin e lëvizjeve në të dy anët e kufirit.
/a.r