Banorët e bllokut të banimit në Rr. “Enver Preza”, në Sauk, nuk do të shkelin më në baltë gjatë dimrit, por as të mbyten në pluhur gjatë verës. Bashkia e Tiranës sapo ka përfunduar investimin në 7 rrugë: “Enver Preza”, “Abaz Fejzo”, “Andon Lufi-1”, “Andon Lufi-2”, “Besim Baxhaku”, “Lame Kreco” dhe “Ethem Gjinushi”, duke transformuar krejt pamjen e zonës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky është një premtim i mbajtur për banorët, ndërsa siguroi se ndërhyrjet e bashkisë do të vijojnë me të njëjtën shpeshtësi edhe gjatë verës, kur njerëzit janë me pushime. Sipas tij, korriku dhe gushti janë muaj intensivë pune.
“Më vjen mirë që kemi përfunduar 7 rrugë në 7 muaj, dhe kjo 7 herë 7 jonë është më produktive sepse ka një rezultat konkret, sesa 7 herë 7 e rrenave. Më vjen mirë që sportiviteti me të cilin merreshin dikur premtimet elektorale, është një përrallë nga e kaluara. Nëse socialistët thonë se Tirana do të bëhet me 24 orë ujë, sot më shumë se gjysma e qytetit ka 24 orë ujë. Nëse themi që do të vëmë dorë edhe në fshat, kjo bëhet realitet. Nëse themi se në 7 muaj do të bëhen këto 7 rrugë, e mbajmë fjalën”, tha Veliaj.
Lajmi tjetër i mirë për banorët e Saukut është edhe ndërtimi i dy shkollave të reja, një 9-vjeçare, që përfshin edhe parashkollorin, si dhe një shkollë e mesme. Veliaj siguroi se shkollat e reja në Sauk do të kenë të njëjtat standarde si ato në qendër të qytetit. “Dua të falenderoj Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për dakordësinë për të shkëmbyer një pronë të Bashkisë së Tiranës me një pronë të Akademisë së Sigurisë. Kjo na siguron që tek ish-spitali i vjetër i Arabit, si dhe tokën që kemi në anën tjetër, t’i lidhim me një urë për dy shkolla: një 9-vjeçare dhe një të mesme, të dyja të reja, për t’u siguruar që e gjithë Njësia 2, zona e Saukut, pra gjithë zona mbi Varrezat e Dëshmorëve, të ketë një pol arsimor. Nga parashkollori, pra nga mosha 5 vjeç, deri në moshën 18 vjeç, nuk ke nevojë të përplasesh nëpër furgonë dhe të harxhosh orë të tëra në rrugë për t’u shkolluar”, shtoi ai.
Ndërkaq, krahas rrugëve të reja, zona e Saukut ka njohur edhe një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë të pijshëm. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, furnizimi në këtë zonë ka kaluar nga 3-4 orë në ditë, në 12-13 orë në ditë. “Më vjen mirë që kemi pasur edhe një përmirësim të ujit të pijshëm. Nuk është te 62-63% i Tiranës që ka ujë 24 orë, megjithatë kalimi nga 3-4 orë në 12-13 orë në ditë është një fillim i mbarë. Duke liruar pjesën e vjetër të Tiranës, që sot furnizohet nga Bovilla, pjesa tjetër që furnizohet në një anë nga Selita, dhe ana tjetër nga Shën Mëria, i lehtëson edhe ato burime, të cilat kanë ekskluzivisht vetëm 1/3 e Tiranës, pa u shpërndarë në të gjithë territorin. Është një situatë në proces, duke qenë se është hera e parë në 32 vite, që nga 1988, që hapim depon 24 orë dhe jo me 3 herë në ditë”, sqaroi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se me vënien në punë të plotë të fabrikës së asfaltit, e cila tashmë është pronë e bashkisë, do të ketë më shumë rrugë dhe rrugica të asfaltuara në të gjithë Tiranën.
Deputetja e PS, Vasilika Hysi vlerësoi vëmendjen e Bashkisë së Tiranës edhe ndaj komunitetit të kësaj zone, ku infrastruktura dhe cilësia e jetës është përmirësuar ndjeshëm. “Kjo ka qenë një zonë shumë e vështirë, këtu dilej vetëm me çizme. Është një zonë e vjetër autoktone dhe këta e kanë merituar. Nuk e besonin se do ta bënit në një afat kaq të shkurtër”, tha deputetja Hysi.
Investimi i Bashkisë së Tiranës në këtë zonë përfshin rrjetin e kanalizimeve, trotuare, ndriçim, hapësira çlodhëse, si dhe një kënd të ri lojërash.