Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri u shpreh në një intervistë për Report Tv se e kupton se përse PD-ja nuk pranon formulën aktuale të koalicioneve, por e cilësoi budallallëk kundërshtimin e hapjes së listave. “Pozicioni i PD-së është shumë i vështirë, opozita po paguan çmimin e rëndë të djegies së mandateve. Nëse opozita mendon se marrëveshja me shumicën do të kalonte pa qenë prezent, ka qenë gabim i madh. Nuk e di ku e ka bazuar Basha sigurinë. Unë mendoj se Rama taktikisht për interesin e tij dhe dëm të opozitës, po luan perfekt.
Por kjo po dëmton dialogun dhe të shkojnë në një destabilizim politik. Listat e hapura që janë çështje e drejtë, janë ngritur me vonesë nga Rama, por është në të drejtën e tij. Opozita nuk ka qenë e përgatitur. Koalicionet janë çështje taktike. Elektorati i djathtë është i fragmentirazuar. Unë mendoj se listat e hapura është një kauzë e drejtë. Hapja e listave nuk përjashton 5 Qershorin. Mund të ecin paralelisht. I qëndroj idesë se demokratizimi i vendimmarrjes është i rëndësishëm se hapja e listave. Edi Rama është një hap përpara Bashës për faj të Lulzim Bashës. Qëndrimi i PD-së kundër hapjes së listave është budallallëk politik i pashoq” tha ai.
Fushatën e Bashës për hapjen e partisë, Kulluri e cilëson si teatër. “Këtu nuk ka asgjë të re. Ky është teatër. Basha do të bashkojë partinë pa u ulur me kritikët. Nëse do të kishim garë të hapur në PD-së do të kishte diskutim për ide dhe dialog mbi principet që duhet të futemi në 2017. Ne jemi një grup i rëndësishëm në parti që kemi refuzuar të bëhemi pjesë e këtij teatri. Unë mendoj që një mandat i tretë i Ramës i dhuruar në tavolinë nga Basha do të ishte një dëm i madh që i bëhet Shqipërisë për shkak të opozitës. Opozita nuk frymëzon, por vetëm i mërzit mbështetësit e saj” tha ai.
Por a ka pasur ai ftesë nga Lulzim Basha? “Personalisht jam propozuar nga disa degë të PD-së, por kam refuzuar se nuk shikoj proces, por tendencë për pazare personale me personalitete publike. Nëse është çështje pazari, nuk ka të ardhme, nëse flasim për garë dhe konkurrencë, por edhe rregulla do të isha gati dhe do i shtrëngojë dorën Bashës. Por është propagandë boshe për të kaluar vështirësinë e radhës”.
Tek kjo opozitë, Kulluri nuk shikon shpresë për të rrëzuar qeverinë. Ai thotë se ka një plan të propozuar disa muaj më parë. “Zgjidhje me këtë konfigurim të opozitës nuk shoh për të rrëzuar qeverinë. Oferta është aty, racionale, me apo pa koalicione sikur është ndërtuar opozita, u heq mundësinë partive të vogla për t’u përfaqësuar, të krijojmë një koalicion mes të barabartëve. Me sistemin aktual, avantazhin më të madh do të kishte LSI-ja. Është edhe opsioni për një pol të tretë, pa PD dhe LSI për t’i shkuar ato vota opozitës. Nëse kjo opozita nuk ngjalla shpresë, vullneti i qytetarëve do të drejtohet diku tjetër” përfundoi ai.
g.kosovari