Nga Alfred Peza
Parlamenti është më pranë se kurrë, miratimit të vendimit për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, si një nga hapat më demokratizues për sistemin elektoral në Shqipëri. Një ndërmarrje e tillë do ti japi mundësinë çdo votuesi që krahas siglës së partive, të përfshihet drejtpërsëdrejti edhe në zgjedhjen e emrave të deputetëve, që ata vetë dëshirojnë ti përfaqësojnë në Kuvend.
Ky ndryshim “i vogël” është një hap shumë i madh, për të krijuar premisat reale për zgjedhjet të lira dhe me standarde demokratike në vend, cili forcon besimin e qytetarëve tek zgjedhjet. Sepse pas shumë vitesh, po bëhet e mundur që një element i ri i demokracisë direkte siç janë listat e hapura, të injektohet në sistemin e demokracisë sonë përfaqësuese.
PS ka koshiencën për të dëgjuar në kohë zërin e qytetarëve. Shumë parti politike, grupime, organizata jo qeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, kanë meritën që prej vitesh kanë lobuar për këtë ide, duke arritur sot që 80-85% të shqiptarëve ta mbështesin atë.
Grupet parlamentare të opozitës, e kanë patur këtë çështje, kauzën e tyre kryesore politike që në momentet e para të futjes në Kuvend. E artikuluan atë dhe e kanë mbrojtur prej afro një viti e gjysëm, duke i dhënë jo vetëm zë në diskursin publik, por edhe qytetari. Edhe atëherë kur askush dukej sikur nuk i mbështeste ata vijuan, duke e shndërruar miratimin e listave të hapura, në misionin e tyre politik.
Në muajin maj, ambasadorja amerikane Yuri Kim propozoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga me lista të mbyllura në lista të hapura. Propozimi i saj, është pothuajse i njëjtë me atë që mbështetet tani; sistem proporcional rajonal. Një sistem që pritet të mbajë parasysh, edhe specifikat tona elektorale për të garantuar një arritje të viteve të fundit, në raport me përfaqësimin e drejtë gjinor në Parlament.
Modeli i paraqitur nga ambasadorja amerikane në Tiranë, nënkupton që listat e kandidatëve për deputetë, u jep mundësi qytetarëve që krahas partisë, të mund të votojnë edhe emrin e kandidatit të tyre të preferuar për deputet. Kandidatët që do të shkojnë në Parlamentin e ardhshëm, do të zgjidhen nga qytetarër përmes numrit të votave të fituara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo nga kryetarët e partive përmes pozicionit të emrit në listë.
Ky sistem i propozuar nga SHBA, nuk lejon krijimin e koalicioneve parazgjedhore. Duke i garantuar të drejtën partisë që arrin të sigurojë në zgjedhje, numrin më të lartë të votave, për të krijuar një koalicion paszgjedhor (nëse dëshiron) për të drejtuar qeverinë e re.
Kësisoj është arritur për herë të parë, një dakordësi maksimale mes shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, shumicës së grupeve politike të përfaqësuara në Parlament dhe SHBA, mbështetëses kryesore të reformës së re elektorale në Shqipëri. Ndërkohë BE, duket që nuk është kundër, për aq kohë sa PS ka garantuar se i qëndron marrëveshjes së arritur në tryezën e Këshillit Politik me PD dhe LSI.
Kjo panoramë na tregon se koha për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, është tani!
Arritja e dakordësisë për këtë, dëshmon për një qasje realiste të arritur në kohë. Më 23 korrik pritet që pakti i 5 qershorit të votohet në Kuvend, për ti hapur rrugën një javë më pas në 30 korrik, votimit të vendimit për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Kjo arritje ndikon në relaksimin e klimës demokratike në vend, duke i dhënë mundësi të gjitha palëve politike të jenë të qartë 10 muaj përpara datës së zgjedhjeve të pranverës 2021, për rregullat e lojës së re elektorale. Kjo i heq palëve, çdo alibi, për të bojkotuar apo kundërshtuar procesin, siç ndodhi me PD dhe Lulzim Bashën në zgjedhjet e 2017 dhe 2019.
Tregues i rëndësishëm ky se koha për hapjen e listave, është tani!
Veç të tjerash, miratimi i reformës elektorale përmbush edhe kushtin e vendosur për Shqipërinë, në takimin e Këshillit Europian të 25 qershorit 2020, përpara konferencës së parë ndërqeveritare në kuadër të procesit të Integrimit të Shqipërisë me BE.
Ndaj, koha për hapjen e listave, është tani!