Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Tahir Sinani” në Tiranë, ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive në derën e jashtme të banesës së shtetasit Gjergj Llazi.
Policia bën me dije se ka arrestuar 26-vjeçarin Engjell Myslimi. 26-vjeçari ka pranuar autorësinë dhe është shprehur se shkaku i vendosjes së lëndës eksplozive ka qenë një konflikt që ai kishte patur me djalin e të zotit të banesës.
NJOFTIMI I POLICISE
Pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Vihet në pranga 26-vjeçari. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Tahir Sinani”, në derën e jashtme të banesës së shtetasit Gj. Ll., ku shpërtheu një sasi lënde plasëse duke shkaktuar dëme materiale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 vijuan punën intensive për zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe punës intensive të pandërprerë hetimore të bërë nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar E. M., 26 vjeç, banues në Tiranë.
26-vjeçari ka pranuar autorësinë dhe është shprehur se shkaku i vendosjes së lëndës eksplozive ka qenë një konflikt që ai kishte patur me djalin e të zotit të banesës.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”.
/e.rr