Nga Ben Andoni
Debatet politike të këtyre ditëve po përfshijnë si temë respektimin apo jo deri në detaje të marrëveshjes së 5 Qershorit, Listat e Hapura dhe të ardhmen e sistemit zgjedhor shqiptar, si edhe të gjithë atë për të cilën u ra dakord në Komitetin Politik. Në fakt, mbi të gjitha është një fakt, që pothuaj po anashkalohet por që të gjithë ia ndjejnë prirjen: Shqiptarët nuk duan më të votojnë!
E para se nuk ndihen më të përfaqësuar, por edhe me ndryshimet që mëtohen se do të bëhen sërish ndihen të parespektuar dhe sidomos të nënvleftësuar nga kinse përfaqësuesit e tyre.
Nëse në këto kohë, kryeministri Rama do duhej ta mbante të gjithë vëmendjen në problemet ekonomike dhe përballjen me Covid-19, kurse kryetari i Opozitës Basha (që ka humbur deri më tani kurdoherë nëpër zgjedhje, qoftë dhe atë që e mori si kryetar bashkie) me punë përballje ndaj pandemisë dhe projeksionet reale të së ardhmes, ata po zhgënjejnë realisht në debatin bosh ndaj zgjedhjeve. Është pak e sikletshme t’u kujtosh njerëzve sesa kohë dhe vëmendje u merret kot, paçka se përgjigja e publikut është treguar hapur dhe në dhjetë vitet e fundit është artikuluar haptas me mungesën e votës. Kështu, në Ballkan, mesatarja e votuesve në 10 vitet e fundit është si vijon: në Shqipëri shkon deri në 49 % por po ulet, në Bosnjë 50 %, Kosovë 42%, Maqedoni 43%, në Serbi 53 %, përveç Malit të Zi që shkon në masën 60%. Të dhënat janë referuar në studimin “Besimi te politika, proceset zgjedhore dhe ndikimet në ekonomi në Ballkanin Perëndimor, 2019”, botuar pak kohë më parë.
Rasti i Shqipërisë, që lidhet me bjerrjen e votuesve, përmban zigzage të mëdha dhe vetëm njerëzit e politikës mund të kujtojnë qartë kokëdhimbjet që i kanë sjellë publikut. “Çadra” e PD-së më 2017 bllokoi vendin dhe partitë u futën të vetme pa koalicione, ndërkohë që LSI fitoj befas më shumë sesa parashikonte. Votimi mbeti krejtësisht i polarizuar sipas kampeve të ndara të militantëve, e ku rezultati final mund të jetë aty-aty, por që tashmë për opozitën bëjnë sens dhe konsiderohen si të rëndësishme votat e ashtuquajtura të “trenit”, që marrin kandidatët e vendosur në lista. Por të kthehemi pas: PD ia tregoi qejfin PS-së më 2009, kur edhe pse kjo doli e para nuk e përballoi dot malin e votave të Demokratëve, që mblodhi me partitë aleate. Veçse që atëherë PD rrëshqiti në gabime strategjike fillimisht me bojkotin ndaj Reformës Territoriale në vitin e parë të mandatit të parë të PS, që tashmë e ka ndarë vendin në 61 bashki nga 400 komunat e dikurshme. Dhe, në evolucionin e votave, në këtë mandat, Rama fitoi me LSI-në 84 deputetë për të ardhur në mandatin e fundit, si fitues i vetëm. Por ai i besojnë më realisht njerëzit, lëvizjet e partive dhe këto shifra. Për fat të mirë jo. Dhe, kjo është sfida, që po lind, e cila parashihet të shprehet me indiferencën e votës. Qytetari i thjeshtë nuk të beson përveçse kur në lojë futen dhe variabla të tjerë realë (që nuk po i shohim), ndaj qasja më interesante është me votuesin, që kurrë nuk gjendet aty. “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesë minutëshe me votuesin mesatar”, thoshte dikur Winston S. Churchill, duke aluduar për atë votues që është i qartë por edhe që rri larg. Po a na përfaqësojnë më këto dy parti bashkë me LSI-në, si formacion i tretë? Fatkeqësisht jo,kurse me atë që artikulojnë sot politikanët të shkon ndërmend ajo që thoshte dikur Louis-Ferdinand Céline, një tjetër personalitet i njohur: “Unë kurrë nuk kam votuar në jetën time … Unë gjithmonë kam njohur dhe kuptuar se idiotët janë në shumicë, kështu që është e sigurt që ata do të fitojnë sërish“. Por nuk duhet ta absolutizojmë. Modeli amerikan na tregon se njerëzit janë të zhgënjyer tmerrësisht nga politika dhe jo vetëm në Shqipëri por edhe vetë në atë që ne e besojmë si tempulli i demokracisë, SHBA. Bethany Brookshire në një artikull shkencor “Scientists have insight into why millions of people who are eligible to vote, won’t” (Shkencëtarët kanë arritur të kuptojnë se përse miliona njerëz që kanë të drejtë të votojnë, nuk duan), shkruan se publiku amerikan përfshihej i 31-ti mes 35 vendeve demokratike, që kanë pjesëmarrje të vogël në votime. Shqetësuese! Studimi përfshin vitin e “largët” 2016, por ai është shumë bashkëkohor, pasi të katër arsyet e trajtuara aty, janë shumë të prekshme edhe për vendin tonë. E para lidhet me mënyrën sesi regjistrohen ngado votuesit. Dhe, kur kujton rastin shqiptar, abuzimet, pamundësitë dhe hiletë e zakonshme me listat atëherë e kupton se kjo pikë e bën faktin e hidhur: Shqiptarët janë të lodhur me procedurat e ngatërruara, me çoroditjet e njësive bashkiake që nuk përgjigjen dhe hiletë e turpshme të partive, që nga pasaportat e me radhë adresat dhe makinacionet e tjera, me të cilat luftojnë për votat.
E dyta lidhet me arsimin: Në SHBA këtë e lidhin me mënyrën e arsimit dhe llojin e shkollimit, që ka marrë publiku. Që kur është futur dhe aplikuar dhe tek ne koncepti i analfabetit funksional, Shqipëria e raportoi fenomenin 50 % në vitin 2013 dhe ky fakt përbënte një nga kuajt e betejës së PS për pushtetin, që nuk u justifikua dot me reformën e munguar të arsimit por më shumë se me të gjitha edhe me predispozitën e përgjithshme të vetë komuniteti arsimor për të ndryshuar.
Shumë njerëz që nuk votojnë nuk kuptojnë realisht sa duhet për funksionimin e qeverisë, procesin zgjedhor ose politikat e partive individuale, sepse shkolla jonë jo vetëm nuk t’i mundëson këto njohuri, por të dëmton shumë edhe me të gjithë strukturën arsimore militante.
Si një çështje tjetër, që mund të konsiderohet e treta, besohet se votuesit kudo në botë janë të lodhur nga pushteti i pakufizuar, ashtu si në SHBA dhe Britani i dy forcave historike, kurse në Shqipëri nga supremacia e PD-së dhe PS-së, bashkë me LSI-në si patericë e tyre por edhe i gjithë konjukturave që mbajnë në fuqi vetëm këto forca, që e administrojnë pushtetin si trashëgim. Ndaj, sot, personazhet e opozitës në parlament, paçka anatemës, po duket se po bëjnë një lloj lufte të drejtë, por që e artikuluar prej tyre ngjan disi bizarre. E fundit, që shkon shumë me Ballkanin lidhet me Apatinë për të votuar dhe lodhja për të parë ose për t’u identifikuar me të njëjtat personazhe. Shembulli shqiptar e referon me kryetarët e partive që nuk lëvizin prej vitesh edhe kur humbin. E më tej, nëse nuk do ishte presioni i madh ndaj administratës dhe sidomos konfirmimi i votës sidomos në zonat lokale, apatia e votuesit do shkonte më shumë, pasi Shqiptarët janë seriozisht të lodhur e mbi të gjitha një brezi ri ka filluar ta përqeshë këtë politikë, që nuk i përgjigjet apo të kuptojë nevojat e saj. “Fuqia qeverisëse përballet gjithmonë me pyetjen: Në rrethana të tilla apo të atilla, çfarë do të bënit vallë? , -teksa opozita nuk është e detyruar të marrë përgjegjësi ose të marrë ndonjë vendim të vërtetë”, thoshte cinik George Orwell, që në një farë mënyre na tregon se tashmë zgjedhjet janë jo domosdoshmëri, por thjesht punë për mirëqenien e politikanëve, që na harrojnë…një ditë pas zgjedhjeve. (Homo Albanicus)
Shkrim qe qysh nga titulli nuk te grish ta lexosh, sepse si gjithnje ky tip analisti, gjithnje percjell mesazhe te ngrysura dhe pesimiste, dhe si hileqar gjithcka e ka kunder qeverijes aktuale…