Covid-19 është duke u përhapur në të gjithë planetin, duke lënë të izoluar miliarda njerëz, ndërsa shërbimet shëndetësore po përpiqen të përballojnë situatën nga njëri vend në tjetrin.
Që nga regjistrimi i parë, në fund të vitit të kaluar, në Kinë, Covid-19 është përhapur në të gjithë botën, dhe është shpallur një pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetit, madje vazhdon të mbetet shqetësuese kudo për shkak të përhapjes me shpejtësi.
Sidoqoftë, ndryshimet në testime nënkuptojnë që numri i rasteve mund të nënvlerësohet nga disa vende.
Numri i vdekjeve është një tregues më i besueshëm. Sëmundja ka goditur vende të caktuara, përfshirë Brazilin, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, me një egërsi më të madhe.
Për shkak të natyrës së paparë dhe të vazhdueshme të shpërthimit të koronavirusit, shifrat ndryshojnë brenda orës, sikurse disa vende i fshehin ato, duke e bërë edhe më të pamundur për të dhëna sa më të sakta, në shkallë globale.
Megjithatë, Covid vazhdon të rritet me ritme të shpejta, sikurse numri i rasteve të reja dhe viktimave me koronavirus, kudo në botë. Gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një tjetër ditë rekord infektimesh me Covid-19 në të gjithë botën.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i rasteve të reja brenda 24 orëve arriti pothuajse 260 mijë, numri më i lartë i infektimeve qëkur filloi pandemia. Vendet me rritjen më të madhe të rasteve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, India dhe Afrika e Jugut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 7 mijë e 360 të vdekur nga Covid-19, shifra më e lartë e viktimave që nga 10 maji.
Sipas universitetit John Hopkins, të shtunën, shifra e të infektuarve shkoi zyrtarisht mbi 14 milion dhe në të gjithë botën numërohen rreth 640 mijë të vdekur. Mbi 8 milion raportohet të jenë shëruar, pasi u prekën nga virusi.
g.kosovari