Nga Ksenofon Krisafi
Mit’hat Frashëri, që është marrë gjerësisht me përmasat e shtetit shqiptar, të atij që duhet të ishte dhe të atij, me rreth 28 mije km², që la diplomacia europiane, thotë se në vitin 1915 numri i shqiptarëve në tërësi, mund të ishte rreth 3.350.000 vetë. Prej tyre vetëm 1.100.000 jetonin brenda kufijve të shtetit shqiptar, që u njoh nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, në 1913.
Akadamiku Rexhep Qosja në veprën Çështja shqiptare thotë se popullsia shqiptare në vitet 1835 deri 1870 vërtitej midis shifrave 1 600 000 deri 2 000 000 banorë. Ndërkohë që, po në atë periudhë, Greqia kishte një popullsi prej 1 400 000 banorë, Serbia 1 600 000 banorë dhe Mali i Zi 190 000 banorë. Përsa i përket sipërfaqes së territoreve shqiptare, sipas prof. Qoses, ato ishin ndërmjet 70 deri në 80 mijë kilometra katrorë. Por, duke marrë në konsideratë motive të ndryshme, pranon se trungu etnik shqiptar kishte një hapësirë prej jo më pak se 58 000 kilometra katrorë.
Sipërfaqja e shteteve të fqinjëve tanë pas zotërimeve që morën në Kongresin e Berlinit ishte përkatësisht: Serbia – 54 800 kilometra katrore, Greqia – 51 300 kilometra katrore dhe Mali i Zi – 8 400 kilometra katrore. Zhvillimet që erdhën pas Kongresit të Berlinit çuan në gjymtime të rëndësishme të hapësirës shqiptare, sepse territore të shumta iu kaluan fqinjëve.
At Gjergj Fishta, i zhgënjyer nga pazarllëqet që bëri Europa me trojet shqiptare, e quajti atë “kurvën e motit”, që nuk njihte as besën humane, as drejtësinë hyjnore, “që i ra mohit Besës e Zotit”. Me revoltë të fuqishme pyeste “Po, a ky asht sheji i qytetnisë, Me nda tokën e Shqipnisë, Për me mbajtë këlysht e Rusisë?” Dhe përfundonte gjithë dhimbje shpirti, zemërim e trishtim “… Mbaroi Kosova!… Janina humbi!… e ndoshta, Tepelena… Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!… Vendet ma t’mira ne na i mori shkjau, E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau!”
Tokat që vendimet e Londrës i lanë jashtë shtetit shqiptar, ishin territore dhe popullsi që diplomacia europiane e kohës, “pronare” ilegjitime, ua “dhuroi” fqinjëve të Shqipërisë. Ua dhuroi si kurban për “çimentimin e paqes dhe sigurisë në kontinentin europian”, siç u shpreh, ish ministri i jashtëm britanik, Lordi Eduard Grei, në 12 gushtin e 1913, në Dhomën e Komuneve. “Unë e di fare mirë, tha ai, se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Europë.”
Me këto fjalë ai do t’iu kujtonte shqiptarëve legjendën e kalasë së Rozafës së Shkodrës. Megjithate paqja europiane e Konferencës së Londrës, për të cilën u sakrifikua Shqipëria, nuk rezistoi, sepse më 28 korrik 1914, shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Konferenca krijoi një nga precedentët unikë në historinë gjeopolitike botërore, shpërfilli punën e bërë nga shqiptarët, ua zvogëloi shtetin në përmasa modeste dhe iu vendosi kufij të cilët rrethoheshin në gjithë gjatësinë e vet nga banorë të të njëjtit gjak, të njëjtës origjinë e kombësi.
Diplomacia e Fuqive të Mëdha u prishi jetën disa qindra mijëra njerëzve, i ndau në mënyrë të dhunshme nga njëri-tjetri. U ndanë prindërit nga fëmijët, vëllezërit nga motrat. Dhe ç’ishte më e keqja, ata që mbetën në shtetet fqinje iu nënshtruan masakrave, mizorive, politikave asimiluese, shfarosëse që morën format e genocidit. Iu mohuan gjuhën, përkatësinë etnike, iu mbyllën shkollat, iu prishën kishat ose xhamitë, iu ndërruan emrat, kombësinë fenë, kërkuan me insistim realizimin e amnezisë historike dhe kombëtare.
Shqiptarët rezistuan me aq sa mundën, por albanofagët vazhdonin të kishin në krah si përherë të njëjtat Fuqi të Mëdha, të cilat vazhdonin simpatitë dhe përkrahjen ndaj fqinjëve, kurse shqiptarët liheshin në shpërfilljen e harresës.
I shkrova këto radhë dhe ndoshta u zgjata pak, sepse që të shohësh përpara dhe të ecësh drejt të ardhmes duhet të njohësh të kaluarën, historinë, rrugën e përshkuar, vështirësitë, duhet të vlerësosh gjakun e dëshmorëve. Që të pretendosh të realizosh objektiva të caktuara në fushën e politikës së jashtme, afirmimin ndërkombëtar, anëtarësi në BE, në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare etj., duhet të dëshmosh personalitet, duhet të tregosh respekt, solidaritet njerëzor e kombëtar, frymë tolerancë, ekuilibër, bashkëpunim, në radhë të parë me vetveten, me vëllezërit e tu të një gjaku dhe pastaj me të tjerët.
Përndryshe, nga këta të tjerët do marrësh trajtim shpërfillës, pa respekt, pa vlerësim.
I shkrova gjithashtu edhe sepse këto kohë shqiptarët, veçanërisht vëllezërit tanë të Kosovës, kanë përpara angazhime shumë të rëndësishme. Pa pretenduar aspak t’iu jap mend e t’iu tregoj vijën, po rikujtoj se për trajtimin dhe zgjidhjen e drejtë të tyre kërkohet qartësi, idealizëm, patriotizëm, vizion, vlerësim dhe mbështetje te lidhjet miqësore me aleatët e huaj.
Kërkohet, po ashtu edhe vendosmëri, kurajo e guxim për të mbrojtur atdheun, për të mos e sakrifikuar atë në emër të interesit vetjak, të forcës politike të cilës i përket ose me spekulimin se nuk duhet t’ua prishim qejfin miqve. Nuk përjashtohet që ndonjëherë, dikush prej miqve, për arsye nga më të ndryshmet, të punojë e të veprojë siç shprehet Eduard Greji, kur përshkruan Konferencën e Ambasadorëve.
Ai sqaron se “ne vendosëm t’i thjeshtonim procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu siç edhe ishim. Ne mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës gjashtë ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri në gusht 1913, por ne mblidheshim vetëm kur e kërkonin rrethanat dhe raportet e miqësisë që ne kishim, nuk i penguan debatet të vazhdonin të papërcaktuara në mënyrën më të bezdisshme…”.
Pra ata takoheshin kohë pas kohe dhe diskutonin 2-3 orë në ditë, prej orës 16.00 deri në orën 19.00, përfshirë edhe pushimin e çajit. Në kaq pak kohë hiqnin vija mbi harta dhe copëtonin trojet e shqiptarëve. Ishin gjashte diplomatë të rangut më të lartë, ambasadorë, pas të cilëve qëndronin ministrat ose kryeministrat e tyre, që, të gjykuar nga vendimet që morën dhe fatkeqësitë që sollën, nuk mund të mos i quash të pashpirt.
Teksa frekuentonin pritjet mondane dhe argëtimet e zakonshme të jetës aristokratike, iu privuan dhjetra mijëra njerëzve të drejtën më elementare që të jetonin në atdheun e vet, të ndodheshin nën pushtetin e njerëzve që flisnin gjuhën e tyre, që kishin të njëjtat tradita, zakone, sjellje etnike, të njëjtin folklor, të njëjtat këngë e valle.
I detyruan me dhunë, me terror, të viheshin nën pushtetin e armiqve, të atyre që i kishin fyer, lënduar, poshtëruar, dhunuar, shtypur, vrarë e masakruar. Kjo ishte drejtësia, ky ishte morali i politikës dhe diplomacisë së fuqive të mëdha të asaj kohe. Shqiptarët edhe pse europianë autoktonë, në trojet e tyre trajtoheshin si ardhacakë nga ardhacakët, trajtoheshin si qenie njerëzore inferiore, të dorës së dytë e të tretë.
Firma vrastare e ambasadorëve në natën e 11 gushtit, kishte zhytur në fatkeqësi dhjetra mijëra njerëz, të cilëve ua kishte marrë të ardhmen. Kur diplomatët ngrinin gotat e verës e të shampanjës në darkën e kremtimit të mbylljes së Konferencës, me vendimet që sapo kishin firmosur, shqiptarëve mjeranë iu kishte ikur gjumi, sepse prej asaj firme kishin mbetur pa atdhe, ishin shndërruar në aktorë tragjikë të dramave me përmasa epokale.
Diplomacia e Fuqive të Mëdha iu kishte marrë gjithëçka, të shkuarën, historinë, kujtimet, të tashmen, të ardhmen e tyre dhe të gjeneratave pasardhëse.
Mbeti e dhimbshme brenga në shpirtin e shqiptarëve, sakrifica e madhe e 1912-1913, e cila fatmirësisht filloi të riparohej pas gati një shekulli, me çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të saj të pavarur, falë rezistencës dhe luftës së popullit të vet si dhe përkrahjes së gjerë ndërkombëtare. SHBA, shtete anëtare të BE dhe doemos Shqipëria, shteti amë, mbështetën me vendosmëri luftën e tyre çlirimtare dhe në vijim u shndërruan në partnerët më të fuqishëm të Kosovës. Për herë të parë në histori për shqiptarët ndodhi një ndryshim madhor, u bënë me aleatë të mëdhenj dhe u ndjenë të vlerësuar.
Është kjo arsyeja pse ata, kudo ku janë, shprehin mirënjohje të pakufishme ndaj tyre, i çmojnë dhe i dëgjojnë me respekt të skajshëm. Por ata duhet të respektojnë në radhë të parë veten dhe njëri tjetrin, sepse kështu do t’iu dëshmojnë atyre se janë të denjë për t’u trajtuar denjësisht dhe me drejtësi.
Kjo ka shumë rëndësi veçanërisht në këto kohë kur vërehet se afirmimi dhe njohja ndërkombetare e shtetit të Kosovës, vazhdon ende të jetë peng i qëndrimit negativ të Beogradit, i cili prej 10 qershorit 1999, vajton shkëputjen e Kosovës. Për kapërcimin e këtij ngërçi serioz ka ofruar sërish shërbimet e veta diplomacia europiane, e cila, nëpërmjet nismave të vazhdueshme, ka dhënë kontribute të vyera dhe të pamohueshme.
Por, këto dy vjetët e fundit, duket se dikush në kanceleritë e ndonjë prej kryeqendrave të saj, i ka rënë shkurt gjetjes së zgjidhjes. Ka hapur arkivat e Konferences së Londres, i është rikthyer fjalës së Grejit të 12 gushtit 1913 dhe e ka formuluar zgjidhjen gati pikë për pikë sipas strategjisë dhe mentalitetit të asaj kohe.
E krijon këtë përshtypje, që do të uronim sinqerisht, të ishte e gabuar, fjala e thënë këto ditë nga shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ai përshëndeti takimin e parë virtual ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdulla Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, më 12 korrik 2020. Por, nisur ndoshta nga qëllimi për ta inkurajuar vazhdimin e dialogut të planifikuar për në ditët në vijim, tha se “kjo marrëveshje është vendimtare për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, për perspektivën evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Kjo marrëveshje është vendimtare për Bashkimin Evropian”.
Formulimi i mendimit të tij, që ngjan si dy pika uji me deklarimin e E. Grejit, nuk ka se si të mos t’i trembë shqiptarët, sepse iu sjell ndërmend vendimet e asaj diplomacie që e gjykoi të përshtatshme ta “muroste” gjysmën e Shqipërisë në “muret e kështjellës së paqes” europiane. Ajo i tremb ata edhe sepse iu kujton raste të tjerë analogë të mëvonshëm.
Një i tillë ishte ai i caktimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi para 4-5 vjetëve, sipas një marrëveshjeje të imponuar nga disa politikanë që flisnin në emër të paqes së Europës, në emër të stabilitetit në rajon. Marrëveshja u ratifikua në parlamentin e Kosoves, në vitin 2016 në kushte jo fort normale.
Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve që pasuan dhe deklarimet e specialistëve përkatës të fushave që ngërtheheshin në objektin e saj, bënë që shumë prej shqiptarëve të dyshonin se ajo çka ndodhi mund të kishte doza presioni dhe mashtrimi. Sepse u tha që ridemarkacioni i kufijve kosovaro-malazeze, i zyrtarizuar në marrëveshje, kishte çeduar më shumë se 8000 hektarë nga territori i Kosovës në favor të Malit të Zi. Kuvendi u paralajmërua që nëse nuk pranohej vija e kufirit dhe nuk ratifikohej marrëveshja, rruga për në Europe do të mbyllej, sepse ajo nuk mund të pranonte në gjirin e vet shtete me probleme të pazgjidhura kufitare. Kosovarët u prekën edhe te çështja më sensitive, mosratifikimi i marrëveshjes për kufirin do të shoqërohej me mosliberalizimin e vizave për lëvizjen në hapësirën Shengen.
Në këto rrethana, me premtimin e liberalizimit të vizave, Kuvendi i Kosovës, ratifikoi më 21 mars 2018, Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015. Por kaluan afro tre vjet vjet dhe premtimi i heqjes së vizave u tret si kripa në ujë. Shtetasit e Kosovës janë tashmë njerëzit më të diskriminuar në kontinent, të vetmit që nuk e kanë mundësinë e lëvizjes pa vizë në “Shengen”. Kjo ka “çuar ujë në mullirin” e Beogradit, sepse, të shtrënguar nga halli, një pjesë e tyre e kanë gjetur zgjidhjen duke u pajisur me pasaporta të shtetit serb, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj.
Këta precedentë sjellin në kujtesë raste të tjera të ngjashme, që kanë ndodhur në marrëdhëniet e Shqiperisë me fqinjët e vet, për të cilët është shkruar dhe folur jo pak. Ato ngjallin dyshime, deri edhe frikë te shqiptarët, të cilët me të drejtë shtrojnë pyetjen përse duhet që vetëm shqiptarët të paguajnë për paqen dhe sigurinë në Ballkan e në Europë, nëpërmjet lëshimit të territoreve për të kënaqur orekset e pambarimta të fqinjëve?
Paqja nuk iu nevojitet vetëm shqiptarëve, por të gjithëve, ju duhet edhe fqinjëve, të cilët prej rreth një shekulli e gjysmë vetëm e kafshojnë territorin shqiptar me lloj lloj mënyrash, formash e pretekstesh. Edhe ata kanë jo më pak detyrime ndaj paqes ballkanike dhe nuk iu lejohet që të intimidojnë, kërcënojnë dhe ta trazojnë Ballkanin me pretekste trashanike. Ata që, shpesh hiqen si “më të fortët” e gadishullit, nuk kanë të drejtë të mendojnë se janë të lirë që të zgjasin duart ku e kur të duan dhe të konsumojnë frytet e paqes së garantuar nga luajaliteti dhe ndonjëherë edhe nga servilizmi i atyre që janë në krye të shqiptarëve.
Është koha kur Europa, e cila prej disa dekadash vazhdon me dhënie leksionesh qytetarie dhe zgjatjen e vazhdueshme të listës me kërkesa për plotësim standardesh e “kryerje të detyrave të shtëpisë”, të ofrojë ajo vetë e para shembullin e drejtësisë dhe ndershmërisë dhe të mos veprojë me sistemin e dubël standardeve. Shqipërisë, një ndër garanteve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, që nuk ka sulmuar askurrë fqinjët e vet, i shtyhen afatet e fillimit të procedurave të hapjes së negociatave dhe i shtohen kushtet, kurse dikush tjetër trajtohet me privilegje të dukshme, megjithëse ka përgjakur disa nga popujt e gadishullit dhe me kryeneçësi e fodullëk publikon armatosjen permanente dhe kërcënime ndaj fqinjëve.
A mund t’iu thonë dot shqiptarëve ata që iu lëshojnë ultimatume si qëmoti, se kush, kur, ku dhe pse i paska ngarkuar shqiptarët që përjetësisht të përgjigjen për paqen e Europës? Pse vetëm këta, njerëzit më paqësorë e më të qytetëruar të gadishullit, na qenkan dënuar që të paguajnë përjetësisht dhe tërësisht gjithë kostot e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe ekuilibrave në Ballkan? Kush ua jep të drejtën që të shpallin verdikte të formës së prerë që shqiptarët duhet të falin territor, sovranitet, dinjitet dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre?! A e dinë ata se ne shumë fshatra në afërsi të kufijve të Shqipërisë me fqinjët e vet, para jo më larg se gjysmë shekulli flitej shqip, mëshohej shqip, këndohej shqip, shahej shqip, vajtohej, shkruhej e mësohej shqip, kurse sot vetëm disa të moshuar mezi flasin gjithë llahtarë gjuhën e të parëve të tyre dhe nuk guxojnë të pohojnë përkatësinë kombëtare shqiptare?! Kush ua jep këtyre zotërinjve të drejtën t’iu krijojnë shqiptarëve trauma të tilla kombëtare e njerëzore?! Do t’i pranonin ata këto në kokën e në vendin e tyre?!
Aktet ku janë fiksuar të drejtat njerëzore e kombëtare si Kushtetuta amerikane, e vitit 1787, Deklarata e të drejtave të qytetarit, e revolucionit francez të 1789, Deklarata Universale e të drejtave të njeriut, e vitit 1948, paktet e të drejtave të njeriut të vitit 1966, Konventa Kuadër e Këshillit të Europës për të drejtat e personave që iu përkasin pakicave kombëtare, Konventa për gjuhët rajonale e minoritare etj., nuk duhet t’ua tundin në fytyrë atyre që i kanë zbatuar prej qëmoti, por t’i mësojnë dhe t’i zbatojnë në radhë të parë për veten e vet, dhe t’ua kërkojnë që t’i zbatojnë atyre që tallen me to.
Aq më tepër kur e dinë mirë se shqiptarët i kanë punët në rregull me to, si nga pikëpamja formalo-juridike ashtu edhe në zbatimin praktik. Përkundrazi, të tjerët, duhet ta vlerësojnë maksimalisht përkushtimin dhe seriozitetin e tyre për respektimin e fqinjëve dhe të pakicave kombëtare.
Ata nuk duhet të lejojnë të flasin për gjoja shkeljen e të drejtave të pakicave, individë nga qarqe ekstremiste ose edhe ndonjë politikan, ndoshta i painformuar, në vendet fqinjë ose në Bruksel. Ata duhet të bojkotojnë me shpërfillje edhe disa mercenarë që e kanë shitur shpirtin për pesë aspra, të cilët, duke u hequr si zëdhënës të minoriteteve, përhapin të pavërteta dhe krijojnë përfytyrime të paqena rreth realiteteve të të drejtave të minoriteteve në Shqipëri.
Në këtë mënyrë ata jo vetëm iu faturojnë shqiptarëve përgjegjësi që nuk iu takojnë, por edhe helmojnë marrëdhëniet e tyre me fqinjët, të cilat përgjithësisht kanë qenë dhe janë pa probleme. Nuk mund të mohohet që ndonjë pjesëtar nga pakicat kombëtare në Shqipëri të ketë në jetën e tij të përditshme ndonjë problem ose vështirësi. Por të tilla kanë të gjithë shqiptarët për shkak të vështirësive të tranzicionit. Të tilla ka kudo. Në vend të shigjetave të pakuptimta që këta politikanë ballkanikë dhe europianë iu drejtojnë shqiptarëve për pretendime të kota, do të ishte mirë që t’iu drejtohen gjitonëve për të respektuar të drejtat e disa qindra mijëra shqiptarëve që ndodhen në territoret e tyre.
Ata që janë në krye të të dy shteteve shqiptare duhet ta njohin mirë historinë e popullit të vet, madje edhe të fqinjëve dhe t’i referohen herë pas here. Duhet të mbajnë parasysh se shqiptarët i kanë dalë zot vetes edhe në kohrat kur s’kishin shtet dhe nuk i qasnin as te dyert e “oborrit të jashtëm” të politikës dhe diplomacisë europiane.
Tani që kanë shtetet e veta, qeveritarët dhe politikanët shqiptarë nuk janë vetëm për acte de presence ose për të thënë vetëm yesman. Janë për të mbrojtur interesat e shteteve dhe shtetasve të vet. Kjo është detyrë e tyre funksionale parësore dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi kushtetuese, të cilat duhet t’i përmbushin me devocion e korrektësi. Nëse nuk i përmbushin shndërrohen në subjekte të përgjegjësisë moralo-politike dhe eventualisht edhe të përgjegjësisë penale.
Nuk duhet të harrojnë që nëse shpresojnë se me marifetet procedurale, tashmë të njohura, aq shumë në modë në Shqipëri, mund t’i shpëtojnë asaj, nuk do t’i shpëtojnë dot kurrë, as ata, madje as edhe trashëgimtarët e tyre damkës, përgjegjësisë morale dhe mallkimit të brezave, të cilët mund të pësojnë mbi kurriz pasojat e veprimeve të politikanëve aventurierë.
Shqiptarët nuk kanë asgjë më pak se popujt e tjerë të gadishullit. Ata, sikundër fqinjët e vet, kanë vlerat e tyre, ndoshta më të shumta. Për të mos i renditur të tëra, sepse lista mund të dilte boll e gjatë, le të përmendim kontributet e vyera, të pamohueshme që kanë dhënë pa kursim dhe pa asnjë kusht për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Kushdo e merr me mend lehtësisht që nëse shqiptarët, të cilët diplomacia europiane i shpërndau në 6 shtete ballkanike, do të ishin ngatërrestarët ose problematikët e rajonit, zor se ai do të kishte stabilitetin që ka.
Është pa dyshim edhe urtësia, kultura, qytetaria, miqësia, bashkëpunimi, fqinjësia e mirë që nuk janë shkelur asnjëherë prej tyre, që e ka shpëtuar Ballkanin, “fuçinë e barotit” nga eksplozioni i mundshëm. Prandaj është rasti që Europa ta vlerësojë objektivisht këtë realitet që lidhet me fisnikërinë dhe vlerat emancipuese të shqiptarëve, t’i trajtojë ata me dinjitetin që meritojnë dhe jo si qytetarë të shpërfillur.
Ajo duhet të mbajë parasysh edhe një mësim të madh që rilindasi i shquar shqiptar Abdyl Frashëri, ua jepte 130 vjet më parë si shqiptarëve të vet ashtu edhe europianëve. Në një letër që i drejtonte kryeministrit italian, arbëreshit Francesco Crispi, ai thoshte se:
“Në rast se fuqitë e mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm gadishullin Ballkanik, por edhe kontinentin Evropian”.
Këtë deklarim korrekt do ta përsëristë gati 20 vjet më vonë delegacioni i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në Memorandumin e 2 janarit 1913, të nënshkruar nga përfaqësuesit zyrtarë të saj, Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga, që iu dorëzua Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Ai, në emër të shqiptarëve, paralajmëronte se “paqësimi i plotë i gadishullit (ballkanik) as që mund të merret me mend po qe se kufijtë e caktuar për çdo entitet politik nuk do të frymëzohen nga caqet gjeografike dhe etnografike të çdo shteti. Të vihen nën një zgjedhë të huaj tokat në të cilat popullsia shqiptare përbën shumicën, do të thotë që të përjetësohet fara e grindjes dhe e trazirave… paqja dhe qetësia e gadishullit do të sigurohen vetëm në qoftë se do t’i jepet Shqipërisë së ardhshme një konfiguracion homogjen. Duke u nisur nga kjo, populli shqiptar kërkon për vendin e vet, kufijtë që janë të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike, ashtu edhe nga e drejta e tij si banues i parë..”
Fjalët e Abdyl Frashërit dhe të delegacionit të qeverisë së Vlorës, ishin profetike. Ballkani nuk gjeti dhe ende nuk po e gjen paqen e dëshiruar, sepse ndër të tjera, çështja shqiptare u trajtua me antishqiptarizëm. Tani konjukturat politiko-ndërkombëtare janë ndryshe. Koha ka filluar të punojë për shqiptarët. Roli dhe kontributet e tyre si faktorestabiliteti e qetësie në Ballkan dallohen lehtësisht.
Është absolutisht e domosdoshme që me qëndrime të matura, racionale, të ekuilibruara, pa fodullëk dhe pa qëndrime aventurore, ata të përfitojnë maksimalisht ato që iu takojnë. Pa mohuar të drejtat e popujve të tjerë, përkundrazi, duke i respektuar ato, të kërkohet me vendosmëri, kur dhe për aq sa është e mundur, rektifikimi i padrejtësive historike. Pa qenë nevoja që të insistohet në mënyrë folklorike që diplomacia e Fuqive të Mëdha të kërkojë ndjesë publike për padrejtësitë ndaj tyre, sepse nuk ekzistojnë më realitetet e një shekulli më parë, shqiptarët të kërkojnë në mënyrat më të përshtatshme dhe më të arsyeshme realizimin e të drejtave të tyre.
Nuk është fjala për zhvendosje dhe ndryshim kufijsh, sepse transformimet shekullore demografike që kanë ndodhur kanë krijuar situata të parikthyeshme. Por nuk ka motiv pse popullsitë shqiptare që padrejtësisht mbetën matanë kufirit të mos gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të sanksionuara nga aktet kryesore ndërkombëtare, si e drejta e gjuhës, e shkollimit, e gëzimit të pronës etj.
Shqiptarët e sotëm, këtej dhe andej kufirit zyrtar, kanë të gjitha arsyet të dëgjojnë me vëmendje maksimale dhe të respektojnë me seriozitet mendimin e miqve, aleatëve ose partnerëve të tyre. Ata e kuptojnë mirë se kohët e sotme nuk mund të operohet më me kuptimet e dikurshme të disa elementëve përbërës dhe substancialë të shtetit dhe jetës shtetërore. Fjala është për sovranitetin, i cili për shkak të ndryshimeve të rëndësishme që kanë ndodhur nuk konceptohet më si në kohën e Zhan Bodenit (Jean Bodin), si pavarësi absolute nga çdo pushtet brenda dhe jashtë vendit. Përfshirja e shteteve në sisteme politiko-institucionale globale ose rajonale e ka relativizuar disi kuptimin e tij.
Kjo do të thotë që politika shqiptare nuk mund të avancojë qëndrime anakronike në emër të sovranitetit absolut. Por nuk duhet kaluar në ekstremin tjetër, sepse proceset integruese nuk e kanë prekur thelbin e tij. Prandaj nuk mund të abuzohet as prej saj as edhe prej ndonjë individi, që shfaqet e flet nën autoritetin e strukturave ndërkombëtare.
Askush nuk ka të drejtë që në emër të internacionalizmit, kundër sovranizmit të kërkojë ose të pranojë çedime të kundërligjshme të territoreve shqiptare. Shqiptarët, për një varg rrethanash kanë çeduar jashtë çdo kufiri, në një farë kuptimi (absurd mund të thuhej) kanë kontribuar pa kursim për paqen dhe sigurinë rajonale. Ata që duan të spekulojnë me relativizimin e sovranitetit, duhet të mbajnë parasaysh se e drejta ndërkombëtare kur trajton dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet shteteve, mban parasysh edhe një tjetër parim, shumë të rëndësishëm, fondamenatal, reciprocitetin, parim ky që, në raport me shqiptarët,është shkelur dhunshëm.
Shqiptarët duhet të kenë kurajon të kërkojnë sinqerisht mirëkuptimin e miqve, kur ndonjëherë mund të ndodhen në vështirësi për t’iu përgjigjur në mënyrë pozitive zgjidhjes së rekomanduar prej tyre. Në këto raste ata e kanë për detyrë që, duke shprehur mirënjohjen e pafundme për aleatët, të përpiqen të shpjegojnë dhe të argumentojnë bindshëm arsyen e pamundësisë së plotësimit të rekomandimit.
Nëse veprohet kështu, pa shfaqur pozat e të fortit, kapadiut ose mosmirënjohësit, do të gjendet mirëkuptimi i miqve. Kohët në të cilat jetojmë kanë afirmuar vlerën dhe domosdoshmërinë e parimeve themelore të së drejtës moderne ndërkombëtare, që i rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve me një frymë më të spikatur demokracie. Raportet e shqiptarëve gjatë tre dekadave të demokracisë në Shqipëri e provojnë katërcipërisht këtë.
Individët që kanë privilegjin dhe përgjegjësinë të ndodhen në krye të një populli, nuk janë gjë tjetër përveçse primus inter pares. Ata nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë atributin absolut të vendosin vetë, me lehtësinë e dhënies së PPP edhe për çështje që prekin tërësinë territoriale, sovranitetin dhe të ardhmen politike të vendit. Ato janë ekskluzivisht të përjashtuara prej tyre.
Liderët, nëse të gjithë këta tanët e meritojnë realisht këtë emërtim, juridikisht janë të detyruar të degjojnë dhe të respektojnë me skrupulozitet vullnetin e popullit, i cili i do dhe i respekton si fqinjët ashtu edhe miqtë, veçanërisht miqtë që i janë gjendur pranë në ditë të vështira. Duke vepruar në këtë mënyrë gjenden zgjidhje që nuk krijojnë lëndime e qejfmbetje.
Miqve, partnerëve strategjikë, iu duhet sqaruar me durim dhe këmbëngulje se shqiptarët nuk kanë arsye që, për arritjen e konsensusit të çedojnë hapësira territoriale, tokësore, detare ose ajrore, sikurse nuk kanë justifikim të ofrojnë me dorë të lëshuar statusin e minoriteteve për lloj lloj pretendimesh që mund të vijnë nga bashkësi ose grupime, ngandonjëherë të krijuara artificialisht.
Për disa episode të ditëve tona që ngjallin shqetësim, ndonjëherë përgjegjësinë mund ta ketë edhe ndonjë prej atyre që qëndrojnë në krye të shqiptarëve, në të dy shtetet. Ata duhet të jenë më kërkues, sepse kanë mbi vete të drejtën sublime të disa milionë njerëzve që iu kanë besuar kolltuqet e pushtetit.
Qendrimet e tyre hezituese, servile, gjunjëzimet dhe koncensionet e paprincipta që bëjnë, hapin rrugë për kërkesa të tjera edhe më absurde, sikurse është provuar pa mëdyshje në këto 30 vjetët e fundit, kur është vërejtur më shumë se kurdo zbatimi i sloganit të famshëm së “oreksi vjen duke ngrënë”.
Liderët shqiptarë, gjithmonë ata që janë realisht të tillë, po të duan mund ta gjejnë mbështetjen edhe te Skënderbeu, Abdyl Frashëri, Vaso Pasha, Haxhi Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj, Ismail Qemali, Fan Noli e shumë e shumë të tjerë, që janë shembuj të paarritshëm të devotshmërisë ndaj vendit e popullit tëtyre. Ata, me qëndrimet e tyre kanë transmetuar mesazhin historik, që e drejta nuk lypet, nuk arrihet me gjunjëzim e servilizëm, ajo kërkohet, fitohet dhe mbrohet me dinjitet dhe vendosmëri. Interesat e vendit dhe integritetin e tij territorial e shtetëror e mbrojnë vetëm ata që e duan vendin, që vlerësojnë perpjekjet e të parëve, njohin parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe që janë të pastër nga pikëpamja morale, etike, juridike etj.
Të gjitha këto iu japin forcën dhe guximin që të smbrapsin dhe të kundërshtojnë presionet ose kërkesat që bien ndesh me interesat e vendit. Ai që trembet se ndoshta interlokutorët mund t’i nxjerrin nga çanta dosjen e korrupsionit, vjedhjeve, krimeve, tradhëtive etj, është i gatshëm të çedojë gjithçka.
Shqiptarët kanë nevojë për liderë që të mendojnë, të punojnë dhe të luftojnë për ta, në bashkëpunim, aleancë e miqësi me partnerët e tyre të mëdhenj.