Policia e Fierit ka shtuar kontrollet në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Së fundmi ka proceduar një pronar lokalesh nate si dhe ka gjobitur një tjetër për shkak se nuk kanë zbatuar masat e vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19.
Më konkretisht është proceduar pronari i lokalit Z. T., i cili ka përsëritur shkeljen, pasi gjatë kontrollit të ushtruar para disa ditësh është gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë. Ndërkohë me një gjobë 1.000.000 lekë është gjobitur E. K, pronar lokali, por për moszbatimin e masave.
NJOFTIMI I PLOTË
Në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, si dhe në zbatim të urdhrit Nr. 351 të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë mesnatës, kanë konstatuar 2 lokale nate të hapura dhe me klientë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i njërit prej lokaleve, shtetasi Z. T., i cili ka përsëritur shkeljen, pasi gjatë kontrollit të ushtruar para disa ditësh është gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë.
Ndërsa për pronarin e lokalit tjetër, shtetasin E. K., u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
/e.rr