Presidenti Hashim Thaçi përfundoi ditën e katërt dhe të fundit të intervistimit në dhomat e specializuara në Hagë. Pas daljes nga gjykata, Thaçi u shpreh se gjatë katër ditëve ka dhënë sqarime për aktivitetin e tij gjatë luftës dhe ka qenë i shoqëruar nga avokati Richard Prosper.
“Sapo përfundova dëshminë time, më vjen shumë mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë të jap sqarimet për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë luftës dhe përpjekjet e mia për paqe dhe progres. Jam munduar që sqaroj informacione për rolin tim gjatë luftës, gjatë periudhës që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Kam qenë i shoqëruar nga Ambasadori Prosper në cilësinë e avokatit. Dëshmia ime ka zgjatur shumë por konsideroj se kemi pasur seanca produktive”, është shprehur Thaçi.
Më tej ai shtoi, se nëse gjykatësit vlerësojnë dëshmitë dhe faktet me paanshmëri, do të dalin në përfundimin se nuk ka bërë asnjë lloj krimi.
“I mbetet prokurorit dhe gjykatësit që ta vlerësojnë me paanshmëri. Nëse vlerësojnë në mënyrë të ndershme lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduar”, vijoi Thaçi.
Presidenti theksoi, se lufta e UÇK ka qenë e drejtë dhe historinë nuk mund ta ndryshojë askush.
“Ka qenë luftë për liri. Ishte luftë e drejtë kemi pasur mbështetjen e botës demokratike. E vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare është e pastër si loti. Historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, e pastër dhe jemi krenarë”, tha presidenti.
g.kosovari