Një seri llogarish në “Twitter” të personazheve të njohur të jetës politike dhe të biznesit në SHBA u hakeruan të mërkurën dhe u përdorën për të siguruar monedha dixhitale. Mes tyre llogaria e kandidatit të mundshëm për president në kampin e demokratëve Joe Biden, yllit të shfaqjeve televizive të drejpërdrejta Kim Kardashian, ajo e ish-Presidentit Barack Obama, miliarderit Elon Musk dhe reperit Kanye West.
Shkaku i sulmit nuk dihet ende, por qëllimi i pazakontë i tij sugjeron se nuk bëhet fjalë për një hakerim të kufizuar në një llogari apo në një shërbim të vetëm. Ndërsa hakerimi i llogarisë nuk është i pazakontë, ekspertët u befasuan nga shkalla e lartë e koordinimit të incidentit të së mërkurës.
“Ky duket të jetë hakerimi më i rëndë që i ka ndodhur një platforme të madhe të medias sociale”, thotë Dmitri Alperovitch, bashkëthemelues i kompanisë për sigurinë në internet “CrowdStrike”.
“Twitteri” njoftoi se ka nisur hetimet mbi atë që e quajti një “incident të lidhur me sigurinë” dhe tha se së shpejti do të lëshonte një deklaratë. Aksionet e kompanisë së medias sociale ranë me pothuajse 5 për qind pas mbylljes së tregut.
Disa nga tweetet u fshinë me shpejtësi, por u bënë shumë përpjekje për të rifituar kontrollin e disa prej llogarive. Në rastin e miliarderit të Teslas, shefit ekzekutiv Elon Musk për shembull, një tweet nëpërmjet të cilit kërkohej një shumë në monedhë dixhitale u hoq, por pak më vonë u shfaq një tjetër dhe më pastaj një i tretë.
Mes atyre që u preken nga hakerimi ishte themeluesi i kompanisë “Amazon” Jeff Bezos, investitori Warren Buffett, bashkëthemeluesi i “Microsoft” Bill Gates dhe llogaritë e korporatave si “Uber” dhe “Apple”. Disa llogari të organizatave të përqëndruara tek monedhat dixhitale u hakeruan gjithashtu.
Sipas një personi që kishte dijeni mbi çështjen, zyrtarët e fushatës së zotit Biden ishin “në kontakt” me “Twitterin”. Ai tha se kompania kishte mbyllur llogarinë e tij “menjëherë pas hakerimit dhe se kishte hequr tweetet e lidhura me rastin”. Tesla dhe kompani të tjera të prekura nuk kanë bërë ende asnjë koment.
Të dhënat e disponueshme publike tregojnë se hakerat kanë arritur të sigurojnë tashmë më shumë se 100 mijë dollarë në monedha dixhitale.
Nga politikanët e prekur nga shkelja, të gjithë dukeshin se ishin demokratë. Llogaria e Presidentit Donald Trump, një objektiv i profilit të lartë, nuk u prek.
g.kosovari