Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ndryshime në trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi disa ndryshime në strukturën dhe nivelet e pagave për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Paga bazë mujore për gradë, është niveli i pagës së punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës.
Kështu, këta punonjës do trajtohen me shtesa për natyrë të veçantë shërbimi si pjesë përbërëse e pagës. Po ashtu, ata trajtohen me shtesa për punë të vështirë e të dëmshme për shëndetin.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2020, përballohen nga fondet e planifikuara për Gardën e Republikës së Shqipërisë për këtë vit dhe të fillojnë nga momenti i pozicionimit të punonjësve në strukturën e re.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, “Për pagat sipas gradave për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/a.r