Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi edhe kryetare e PS Tiranë, Elisa Spiropali, gjatë një takimi me strukturat e PS-së në Dajt është shprehur se “investimet janë pjesë e pandarë e një pune transformuese siç ishte ndërtimi i rrugës së Qesarakës, një nyje e domosdoshme që lidh zonën me pjesën tjetër të Tiranës, duke i shërbyer plot 10 mijë banorëve të njësisë administrative Dajt”.
“Të distancuar fizikisht, por duke punuar intensivisht, bashkë me Xhemalin, Ervinin dhe strukturën organizative të PS ‘Lagjja 12’, finalizuam procesin e konstituimit të këshillit socialist”, tha Spiropali.
Më tej ministrja theksoi se “vizioni ynë qeverisës ka në filozofi të shtetbërjes punën, vullnetin, vëmendjen e shtuar ndaj qytetarëve, si i vetmi matës real besimi që kanë qytetarët ndaj një skuadre që pëson çfarë reflekton”.
“E largët koha kur kjo zonë potenciali turistik u la si ‘xhep’ prej atyre që u binte ndër mend ta vizitonin atë kur ishin në hall për vete, ndërsa sot investimet janë pjesë e pandarë e një pune transformuese siç ishte ndërtimi i rrugës së Qesarakës, një nyje e domosdoshme që lidh zonën me pjesën tjetër të Tiranës, duke i shërbyer plot 10 mijë banorëve të njësisë administrative Dajt”, shtoi ajo.
Spiropali tha se “investimet në infrastrukturë, institucione arsimore e sociale janë dukshëm premtime të mbajtura që do të pasojnë me ritëm të shtuar edhe gjatë mandatit tonë të tretë qeverisës”.